E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëshime dhe moszhvillim

SITUATA NË KOSOVË

Ban Ki-Moon-i nuk veproi ngjashëm, sikurse Marti Ahtisaari. Arsyeja e vërtetë pse Ban Ki-moon-i i la jashtë bisedimeve për 5 muaj, Sejdiun e Thaçin (Presidentin e Kryeministrin e Kosovës), është se këta nuk do t’i pranonin negociatat e reja me Serbinë, në kohën kur po miratonin Kushtetutën. Vetëm tash kur e refuzuan marrëveshjen, ata janë të gatshëm që t’i pranojnë negociatat. Kërkesa e tyre për dialog dhe ‘modifikime pozitive’ është kërkesë për negociata. Për vetëm 5 muaj, Beogradi – i cili vazhdimisht kërkonte negociata – ia solli punën Prishtinës që t’i kërkojë negociatat!

Nëse para shpalljes së pavarësisë, negociatat i paraprinin marrëveshjes së kompromisit, tash, pas shpalljes së pavarësisë, është marrëveshja e kompromisit më të ri që po u paraprin negociatave. Leximi me vëmendje i pikave të Ban Ki-moon-it na tregon se, së paku, për tri pika (doganat, transportin dhe infrastrukturën, si dhe për trashëgiminë kulturore) parashihen gjithsesi bisedime të mëtutjeshme. Pra, marrëveshja gjashtëpikëshe OKB-Serbi, përveç që është marrëveshje, negociatat për të cilën vijnë posteriori (në kërkim të modifikimeve pozitive paçka se të parëndësishme), është edhe marrëveshje për negociata të reja, që duhet të shpien në marrëveshje të reja, e mandej mbase në negociata të reja... Diçka sikurse në doktrinën e regresit të pafundmë idea-ideae, te Spinoza. Plani katërpikësh i Sejdiut e Thaçit, nuk është plan (për Kosovën), por qëndrim (për faktorët ndërkombëtarë). Ai është pozicioni fillestar në negociatat e mëtutjeshme. Sejdiu e Thaçi kurrsesi nuk bëjnë plane, sepse nuk duan t’i zbatojnë ato: Zbatimi i planeve nënkupton marrjen e mekanizmave të shtetit për t’i zbatuar planet. Ata shprehin qëndrime dhe me to bëhen pjesë e pazarit me Kosovën, ku ata mbesin lart e Kosova fundoset.

Mirëpo, si bëhet që u katandisëm kështu? Çfarë e mirëmban këtë degradim të vazhdueshëm të pozitës sonë politike? Gjashtë pikat e Ban Ki-moon-it nuk paraqesin tema të reja në krahasim me Planin e Ahtisaarit. Serbia dëshiron më shumë në aspektin sasior, jo edhe cilësor. Cilësinë ajo e ka fituar me Planin e Ahtisaarit. Dallimi themelor nuk është ndërmjet Planit të Ahtisaarit dhe gjashtë pikave, por midis një shteti normal dhe një shteti me Planin e Ahtisaarit. Në Planin e Ahtisaarit është çimentuar ndarja e Kosovës. Aty janë ndarë etnikisht policia dhe gjyqësia; aty është serbizuar trashëgimia kulturore e mesjetës; aty serbët e kanë fituar mundësinë, që me të drejtën e vetos t’i bllokojnë institucionet; aty ISR/EUSR-ja është bërë mbret i Kosovës; aty është ndarë territori dhe është shkatërruar uniteti i institucioneve. Vetëm një udhëheqje politike injorante, ose e shitur, ka mundur ta gjymtojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës ende pa u bërë ai. Cilido shtet i BE-së që do ta zbatonte Planin e Ahtisaarit, do të zhbëhej si i tillë, e lëre më Kosova që, për shkak të një plani të këtillë, as nuk do të arrijë të bëhet shtet përnjëmend. Elita politike zyrtare e Kosovës, në Vjenë ka hequr dorë prej substancës së shtetit, në Vjenë ajo ka bërë koncesione të papara. Dhe, tash, natyrisht që po prej këtyre njerëzve kërkohen koncesione të reja. Perëndimi nuk mund ta kuptojë se si rezistojnë sot Sejdiu e Thaçi, kur ata dje kanë lëshuar pe shumëfish më shumë se kaq, kurse ndërkohë, Kosova nuk është forcuar si shtet, as me ushtri të veten dhe as me zhvillim ekonomik. Ata që kanë bërë shumë koncesione thelbësore dhe ende nuk janë forcuar, gjithmonë dhe vazhdimisht mund t’i bëjnë edhe disa të tjera, apo jo?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›