Lesi: Ka 3 ministra të korruptuar
Deputeti i maxhorancës, Nikollë Lesi i kërkoi dje Kryeministrit Berisha të shkarkojë disa ministra, të cilët sipas tij janë të korruptuar. Kreu i Lidhjes Demokristiane tha dje në një konferencë për shtyp se maxhoranca duhet të zhvillojë një mbledhje ku të analizohet puna e të gjithë ministrave. "Berisha të mbledhë maxhorancën. Janë 2-3 ministra që janë të korruptuar dhe ne nuk mund të shkojmë me ata në zgjedhje", u shpreh Lesi. Sipas analizës se deputetit Lesi këto ndryshime nuk dëmtojnë qeverinë para zgjedhjeve, përkundrazi e lehtësojnë atë nga ministra të korruptuar. "Nuk mund të përfaqësohemi me ministra apo ish-ministra, që tani duhet të ishin në burg", u shpreh Lesi. Ish-kreu i PDK-së, tani me një parti të re, ka akuzuar prej kohësh pasuesin e tij te demokristianët, Nard Ndokën për korrupsion, duke i kërkuar kreut të qeverisë disa herë radhazi për ta shkarkuar.