E Diel, 1 Nëntor 2026

Fierza drejt pikut, KESH gati të nisë eksportin e energjisë

 

Niveli i ujit në liqenin e Fierzës po i afrohet pikës maksimale. Në kushte të tilla KESH është gati të nisë eksportin e energjisë drejt Greqisë. Eksporti i energjisë po mundësohet falë përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidrike në vend.
Eksporti
Situata hidrike në Fierzë është në nivele goxha të mira. Sipas të dhënave më të fundit nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 283.6 metra, ndërsa prurjet e ujit janë 179 metra kub ujë në sekondë. Prodhimi vendas i energjisë ka arritur në 12.8 milionë kilovat orë në ditë. Duke qenë së niveli i ujit në Fierzë është shumë afër pikës maksimale, KESH ka vendosur që të nisë eksportin e energjisë me shtetin helen. Edhe këtë vit KESH nuk ka aplikuar grafik kufizimesh të energjisë elektrike. Energjia u është ndërprerë vetëm atyre konsumatorëve që rezultojnë të mos kenë paguar faturat e energjisë elektrike.
Prodhimi
Fierza është hidrocentrali më i madh në vend. Sipas të dhënave nga KESH kapaciteti prodhues i këtij HEC-i arrin deri në 12 milionë kilovat orë. Por një gjë e tillë nuk ka mundur të realizohet, pasi për të prodhuar një sasi të tillë energjie, në ditë konsumi i ujit vetëm për një turbinë është 120 m3/sek. Por jo gjithmonë reshjet kanë qenë të bollshme, çka e kanë kufizuar një prodhim të tillë. Por edhe në rastet kur reshjet gjatë gjithë vitit kanë qenë në nivele të larta, përsëri nuk është arritur që të prodhohet kjo sasi energjie. Kjo pasi Fierza nuk mund të prodhojë energji me të katër turbinat e saj, pasi gjithmonë një turbinë mbahet rezervë për t'u përdorur në rastet kur ka defekte të ndonjë turbine tjetër. E njëjta gjë ndodh edhe me HEC-e të tjerë të vendit. Konkretisht kapaciteti maksimal i prodhimit të energjisë në Koman arrin në 14.5 milionë kilovat orë nëse të pesë turbinat janë në punë, ndërsa në HEC-in e Vaut të Dejës kapaciteti maksimal arrin në 6 milionë kilovat orë.

Të dhëna në Fierzë

    12.8 milionë kwh prodhimi
    8.9 milionë kwh importi
    21.8 milionë kwh konsumi
    283.62 metra niveli i ujit në Fierzë
    179 m3/sek prurjet e ujit
    4 cm rritja ditore
    170.60 metra niveli i ujit në Koman
    128 m3/sek prurjet anësore të ujit
    73.92 metra niveli i ujit në Vaun e Dejës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›