E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali e shpërfytyruar, tani është në rrezik



Fation Shehu

E çfarë goleade... Italia pësoi një disfatë. Barazimi 1-1 kundër Zelandës së Re është njësoj si një humbje për kampionët e botës, aq më tepër që tashmë renditja e grupit komplikohet shumë dhe mbi të gjitha rrezikohet kualifikimi.Itali me pak karakter, por me zero ide dhe akoma më pak sulmuese. Nuk mjaftuan për asgjë të tre sulmuesit në të njëjtën kohë për pothuajse të gjithë pjesën e dytë. Mbrojtja gjithashtu është për të ardhur keq. Kanavaro duhet të kishte shkuar në Dubai një vit më parë dhe jo vitin e ardhshëm. Një nga paraqitjet më zhgënjyese të kombëtares së të kaltërve prej shumë, shumë vitesh. Një skuadër që mund të mos jetë e denjë, për një Botëror me të vërtetë modest. Edhe pse në teori djemtë e Lipit janë kampionët në fuqi të botës, ata janë bërë për të ardhur keq.
Pas dështimit taktik të ndeshjes së parë, Lipi heq dorë nga roli i fantazistit (nuk e kishte dhe nuk është momenti për të menduar se e ka tani) dhe dizenjon një skuadër më të lehtë për t’u lexuar dhe mbase edhe për t’u interpretuar. Një skemë 4-4-2, e cila është shumë e njohur dhe e praktikuar nga pothuajse të gjithë lojtarët që luajtën. Në këtë mënyrë Markisio rikthehet të luajë në krahun e majtë (edhe pse harron të sulmojë dhe mendon më shumë për mbrojtjen), ndërsa qendra e mesfushës përbëhet nga Montolivo dhe De Rosi. Idetë janë të lojtarit vjollcë “pasardhësi i Pirlos”, ndërsa karizma dhe shpirti i garës është nga lojtari i Romës, i cili tregoi edhe një herë se e meriton statusin e liderit në Kombëtare. Pas golit kundër Paraguait, këtë herë ai fitoi 11-metërshin.
Të kaltrit e nisën ndeshjen, duke i komplikuar vetes gjithçka. Një start si një film horror dhe fajtori tashmë duket personazh i zakonshëm: Kanavaro. është ai që stopon lehtësisht me kofshë topin, i cili do shtyhet lehtësisht nga Smeltz drejt rrjetës. Makthi zgjat përreth 20 minuta, deri kur goditja e shtyllës nga Montolivo u tregoi shokëve të tij se rezultati edhe mund të ndryshojë. Ai ishte edhe momenti që ndryshoi karakterin e lojtarëve në fushë, pasi pak minuta më pas De Rosi fitoi një 11-metërsh. Smith e tërhoqi brenda zonës dhe mesfushori italian diti se si të rrëzohet. Iakuinta gjuan fort nga pika e bardhë dhe nuk gabon. Një gol që festohet me hundën “vuvuzelë” të autorit...
Por edhe kaq është shumë pak, për të mos thënë asgjë. Duhet t’i kishin mbuluar me gola kundërshtarët modestë, por dështuan totalisht. Lipi bën tri ndryshime në repartin e avancuar gjatë pjesës së dytë. Doli Xhilardino, Pepe e më pas Markizio, për të futur në fushë Di Natalen, Kamoranezin dhe Pacinin. Luhet me nerva dhe zemër, por në mënyrë të shëmtuar. Madje rrezikohet edhe “infarkti” kur Vud kaloi lehtësisht Kanavaron dhe goditi jashtë përballë me Marketin. Një rast i shpërdoruar, por për italianët është njësoj sikur ta kenë pësuar. Janë kampionët e botës në fuqi, por kjo i bën që të ruajnë nderin...

Itali–Zelandë e Re 1-1

Golat: Iakuinta 29’ (p) / Smeltz 7’
Italia (4-4-2): Marketi, Zambrota, Kanavaro, Kielini, Krishito, Pepe (46’ Kamoranezi), De Rosi, Montolivo, Markizio (61’ Pacini), Xhilardino (46’ Di Natale), Iakuinta. Trajner: Lipi
Zelanda e re (3-4-3): Paston, Reid, Nelsen, Smith, Bertos, Eliot, Viceliç (80’ Kristi), Lokhed, Smeltz, Kilen (92’ Barron), Falon (63’ Vud). Trajner: Herbert
Gjyqtar: Batres (Guatemala)
Kartonë të verdhë: Falon, Smith, Nelsen
Spektatorë: 38.229

Itali Statistika Zelanda e Re
23 GJUAJTJE 3
7 GJUAJTJE Në PORTë 1
1 GOLA 1
11 FAULLE Të SHKAKTUAR 25
23 FAULLE Të PëSUAR 10
15 GODITJE KëNDI 0
12 GODITJE DëNIMI 3
1 PENALLTI 0
1 POZICIONE JASHTë LOJE 1
0 KARTONë Të VERDHë 3
0 KARTONë Të KUQ 0
42 KOHë FIKTIVE/LOJë 32
57% MBAJTJE TOPI (%) 43%

Italianët, dushet me defekt, ikin pa u larë

Një surprizë aspak e këndshme për Kombëtaren italiane ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes me Zelandën e Re. Sikur të mos mjaftonte zhgënjimi dhe nervozizmi i madh pas barazimit me rivalët modestë, me kthimin e tyre në dhomat e zhveshjes, kampionët e botës nuk kanë pasur ujë për t’u larë dhe për t’u nisur drejt hotelit ku akomodohen. Shkak për këtë gjë ka qenë një defekt që kishte ndodhur me dushet. Mungesa e ujit të ngrohtë ka bërë që futbollistët të vonojnë disi nisjen e tyre drejt qendrës së grumbullimit, sepse aq sa kanë mundur, janë shpëlarë me ujë të ftohtë.

Trajneri Lipi, vrer kundër sulmuesve

Marçelo Lipi, trajneri i Italisë, nuk e ka gëlltitur dot barazimin me Zelandën e Re dhe për këtë gjë fajëson më shumë sulmuesit e tij. “Nuk patëm fat, sepse edhe sot (dje), ashtu sikurse ndodhi me Paraguain, pësuam gol në tentativën e parë sulmuese të rivalëve tanë. Më pas arritëm ta barazojmë ndeshjen, por vetëm kaq, sepse këtu duket sikur bateritë tona fiken. Kjo ishte një ndeshje që duhej fituar me çdo kusht, por nuk arritëm të bëjmë gjëra të mëdha, apo më saktë, ato gjëra që duhet të bëjë një kombëtare si Italia. Sulmi ishte inekzistent dhe golat e lojtarëve që mbulojnë këtë repart i mungojnë kësaj skuadre. Duhet të bëjmë diçka me shpejtësi, nëse duam të kualifikohemi për në 1/8 e finaleve të këtij Botërori, edhe pse më duhet të pranoj se sulmi nuk është reparti i vetëm që çalon”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›