S’ka vend në varreza, të vdekurit në oborre shtëpish
FIER/ MAJLINDA RAMA
Oborret e shtëpive, vendvarrezë për të vdekurit. është ky realiteti i trishtë që shoqëron përditë banorët e Kreshpanit në rrethin e Fierit. Për 4500 banorët e kësaj komune, prej 3 vitesh ekziston shqetësimi i një vendi për varreza, duke i detyruar ata që të afërmit e ndarë nga jeta t'u japin lamtumirën e fundit në pronat private. Banorët shprehen se alarmi është dhënë në të gjitha institucionet, por asnjë prej tyre nuk e ka dëgjuar këtë zë. Dhe pas kërkesave për ndihmë, ajo që paraqitet është një masë e tërë kodrinash me shtëpi dhe varreza të mbira në çdo qoshe. Një pjesë e tyre të krijojnë veç ankth dhe dhimbje. "Kushdo që e ka dëgjuar është habitur, por ne mbetemi të varur, pasi po na mohohet e drejta e kryerjes së riteve mortore, ashtu siç e kërkon zakoni për ata që na ikin nga kjo jetë dhe që nuk na kthehen më. është e dhimbshme, por e vërtetë. Ne gdhihemi dhe erremi me të njëjtin kërcënim: me atë të varrezave që na kanë pushtuar gjithë fshatin. Kërkojmë ndihmë se po na dridhet mishi të na sëmuren pleqtë. është edhe turp mbi të gjitha", thotë Ylmi Dervishi, banor i zonës. Më e trishtë situata bëhet edhe në raste përkujtimoresh, kur familjarëve u duhet të zhvillojnë ceremonitë në të njëjtin ambient ku edhe jetojnë. Ndërkohë si të mos mjaftonte kjo, një pjesë e mirë e banorëve po shkulin ullinjtë disa shekullorë për të hapur një vend të ri për varreza. Vetëm para dy muajsh komuna mori një vendim që në dispozicion të varrezave të shkonte një sipërfaqe toke rreth 3 dynym, por kjo u refuzua nga banorët për shkak të largësisë disa kilometra nga banesat e tyre dhe që sipas banorëve ishte një tokë që i përkiste një tjetër fshati. "Nuk ka sens logjik që ne të ngremë arkivolin me të vdekurin me orë të tëra në krah, pasi rruga është e pakalueshme nga automjetet. E kemi kundërshtuar këtë dhe kërkojmë që këtu në fshatin tonë të shpronësohet tokë që të mund të çelen sipërfaqe te reja për varrezë", shprehet Myrteza Hazizi. Ndërkohë e vetmja ofertë nga pushteti vendor për banorët vazhdon të qëndrojë ajo e varrezave larg fshatit, e cila sipas tyre kërkon 3 orë kohë për t'u përshkuar. "Kemi kërkuar nga këshilli i komunës që të miratojë një vend të ri për varrezat e Kreshpanit. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej rreth 3 dynym, e cila ndodhet midis Kreshpanit dhe Cakranit. Kjo ishte gjithçka që mund të bëhej për këtë problem. Shpresojmë që banorët të mësohen me këtë zgjidhje", deklaron kreu i komunës Cakran, Vladimir Korçari. Nga ana e prefekturës ende nuk ka pasur një reagim zyrtar, ndërsa banorët shprehen se muaji qershor është muaji i fundit që do të presin zgjidhje. Në mungesë të saj ata kërcënojnë me protesta me një afat të pacaktuar. Referuar shifrave nga gjendja civile e komunës, mësohet se në tri vitet e fundit janë shënuar 54 vdekje në këtë zonë.