E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca në kaos, Zidan nën “akuzë” për komplot



Rejmond Domenek, në një situatë të jashtëzakonshme tensioni, përpiqet që të japë mesazhe shprese dhe të normalizojë situatën. “Kemi akoma një mundësi, duhet të shënojmë shumë gola”, ka thënë ai. Sigurisht që askush nuk ia vë veshin. Në fakt trajneri i Francës po jeton në një “fole gjarpërinjsh”, gjë që ndodh shpesh në botën e futbollit dhe ai e di mirë këtë. Sigurisht që nuk është bukur të dëgjosh Xhon Terrin, shokun e skuadrës së Anelkasë teksa ka thënë se Federata Franceze e Futbollit ka marrë një vendim shumë të keq, sepse në fund të fundit Anelka, thjesht ka shprehur mendimin e tij. Deklarata e qendërmbrojtësit anglez të bën edhe të qeshësh nëse merr parasysh faktin se ai ka disa njolla të freskëta ende sa i përket çështjes së moralit. Për këtë mund të pyesni Brixhin... Për momentin nuk dihet saktësisht se kush e ka gatuar gjithë këtë kaos, por duket se të gjithë kanë bërë nga një mëkat. Shikoni rastin e Evrasë, kapitenit të skuadrës franceze. Ai është vërtet një rast për t’u studiuar. Ka marrë guximin të dalë në një konferencë për shtyp në emër të gjithë skuadrës sa i përket sjelljes së Anelkasë dhe për të thënë se sulmuesi nuk është fajtor për atë që ndodhi. Evra është i mendimit se më shumë fajtor është ai që një skandal të skuadrës e shet në media për të bërë bujë, sesa protagonisti i një sharjeje të rëndë në adresë të trajnerit. E çuditshme për të qenë e vërtetë.
Klani i “Zizusë”
Duket që Zidan vazhdon të jetë prezent në ambientet e përfaqësueses franceze. Jo fizikisht, as shpirtërisht, por nëpërmjet telefonit. Bëhet fjalë për disa mbështetës të tij, që zbatonin me rigorozitet gjithçka që ish-ylli i Francës thoshte. Ka zëra që thonë se para ndeshjes mes Francës dhe Meksikës, Zidan ka organizuar një klan të vërtetë. Njerëzit me të cilët ai ka komunikuar brenda skuadrës mendohet të jenë Evra, Henri, Riberi dhe Gallas. Të katër këta lojtarë i kanë kërkuar Domenekut që të ndryshonte skemën nga 4-2-3-1 në 4-4-2. Madje ata i kanë kërkuar trajnerit që të linte në stol lojtarë si Gurkuf dhe Guvu. Një këshillë të tillë (mbi formacionin), ndërkohë, Zidan ia kishte dhënë edhe vetë trajnerit Domenek në vitin 2006, por u tradhtua nga goditja me kokë ndaj Materacit. Në fillim trajneri e ka marrë parasysh kërkesën e bërë nga katër senatorët, por kur e ka kuptuar se kjo ishte një manovër e Zidanit ka ndërruar mendje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›