Lesi: Turistët rusë duan Shqipërinë
Zv.ministri i Turizmit, i Rusisë, Oleg Rrozhnov tha në një takim me zv.ministrin, Nikollë Lesi, se turistët e vendit të tij duan të kalojnë pushimet në Shqipëri. Gjatë takimit në Moskë, pala ruse kërkoi nga ana e Qeverisë shqiptare që t'i lejohet korridori ajror Moskë- Tiranë, për të sjellë avionë charter me turistë në vendin tonë. Nga ana e tij zv/ministri Lesi shprehu gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët me palën ruse, ndonëse theksoi se duhet biseduar edhe me kompaninë gjermane që menaxhon aeroportin e Tiranës. Gjithashtu zv/ministri Lesi kërkoi nga pala ruse që siç veproi Qeveria shqiptare, e cila ka vendosur heqjen e vizave për rusët për sezonin veror të veprojë dhe qeveria ruse për turistët shqiptarë. Në këtë pikë, zv.ministri rus hodhi idenë e heqjes së vizave mes dy vendeve për të 12 muajt e vitit.