E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalon ligji i pronave, PS kundër



Erald Kapri

Maxhoranca miraton në parim projektligjin e paraqitur nga deputeti Enkelejd Alibeaj për disa ndryshime në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Projekti, i cili përmban kriteret dhe procedurat për rishikimin e vendimeve që kanë dhënë ish-zyrat rajonale të AKKP-së e ish-komisionet vendore, u kundërshtua ashpër nga deputetët e opozitës. Sipas deputetit Alibeaj, projektligji vjen pas rrëzimit të disa neneve nga Gjykata Kushtetuese dhe përcakton mënyrën se si shteti të korrigjojë veten me vendimet e gabuara. "Janë dhënë vendime me shkelje ligjore. Nga vendimet që mund të jenë bërë me gabim njerëzor e deri tek ato që janë bërë me korrupsion. Të pretendosh sot se pavarësisht se njerëzve që i kanë dhënë ato vendime nuk janë në burg, që edhe vendimet e tyre nuk i ndryshojmë dot, nuk e besoj dot", tha Alibeaj. Por deputetët e opozitës e cilësuan si antikushtetuese pasi sipas tyre, vetëm gjykata mund t'i rishikojë titujt e pronësisë. "Prekja e titujve të pronësisë nga agjencitë administrative është antikushtetuese. Po krijojmë precedent. Të prekësh titullin e pronësisë me anë të administratës, ç'rëndësi kush është në pushtet, po shtroni një asfalt për të prekur titujt. Ka një vetëm një rrugë, me gjykatë", tha deputeti i PS-së, Pandeli Majko. Por debati mes palëve shkoi edhe në tone personale deri në atë pikë sa deputetët lëshuan akuza si dhe kujtuan se ende nuk kanë marrë pronat e tyre.
Projektligji
Projektligji i propozuar nga Alibeaj parashikon kriteret dhe procedurat për rishikimin e vendimeve, që kanë marrë formë të prerë të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark, ish-komisioneve vendore për kthim dhe kompensim të pronave, si dhe të ish- komisioneve të rretheve apo bashkive për kthimin dhe kompensimin e pronave për ish-pronarët. Sipas kësaj dispozite, AKKP-ja rishikon vendimet vetëm kur "zbulohen rrethana të reja apo akte të reja shkresore që kanë rëndësi për çështjen, të cilat nuk mund të diheshin gjatë shqyrtimit të kërkesës për njohje, kthim apo kompensim të pronës". Projektligji ka rregulluar me anë të një dispozite edhe situatën e rasteve kur shkaku për rishikim është zbuluar përpara momentit të hyrjes në fuqi të këtij ligji, duke vendosur afatin prej 45 ditësh nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit për të bërë kërkesën.

Debati në Komisionin e Ligjeve

Nasip Naço: Vendimet e gjykatave duhet të rishihen, pasi janë dhënë dënime për falsifikime, por nuk është zbatuar neni 381 për fshirjen e këtyre titujve në Hipotekë. Ato kanë qenë padrejtësisht të vjedhura. Projektligji i paraqitur nga Alibeaj do të mbajë emrin e tij dhe unë do të votoj pro tij.
Ermonela Felaj: Ky projekt i kundërvihet haptazi vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ka një tentativë për të interpretuar vendimin e gjykatës, madje relatori vihet edhe në rolin e kritizerit, por që këtë nuk e lejon Gjykata Kushtetuese.
Damian Gjiknuri: Me këto mendime ktheni të njëjtin problem, duke cenuar parimin e sigurisë juridike, të cilit i ka dhënë përgjigje Gjykata Kushtetuese. Nëse vërtet do të donit të rregullonit problemin e krijuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, më mirë të bëni amendime në Kodin e Procedurës Civile, duke lënë gjykatën për rishikim të këtyre lloj vendimeve. Por juve s'ju lë diçka tjetër, mentaliteti për ta pasur çdo gjë në dorë ekzekutivi.
Eduard Halimi: Projektligji pasqyron jo vetëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese por edhe dy vendime të Gjykatës së Strasburgut, të cilat duhen parë me kujdes dhe jo të flasim menjëherë për antikushtetueshmërinë. Deputetët parafolës na cituan disa pika të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilëve projektligji na bie ndesh me vendimin e gjykatës. Sipas projektligjit të Alibeajt, tashmë Drejtori i AKKP-së, nuk ka më të drejtë të marrë në shqyrtim vendimet që ka certifikuar vetë drejtori, por kemi futur në procedurë administrative vendimet e dhëna nga agjencitë rajonale.
Vasilika Hysi: Sa herë që në ngremë problemin e antikushtetueshmërisë, na thuhet këtu "lot krokodili", keqdashësi etj. Ju keni ndryshuar 6 herë këtë ligj për pronat, ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar 3 herë. Mendoj se po nxitojmë dhe nuk po lexojmë qartë Kodin e Procedurës Civile, Administrative dhe 3 vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Mesa shoh ju nuk doni të zgjidhni problemin e kthimit dhe kompensimit pronave, por doni të mbani peng pronarët e ligjshëm, madje doni të justifikoni ato vjedhje që janë bërë nga pronarët e rinj.
Enkelejd Alibeaj: Realisht nuk e kuptoj këtë mallëngjim nga deputetët e opozitës. Të pretendosh sot se pavarësisht se njerëzit që i kanë dhënë ato vendime nuk janë në burg, që edhe vendimet e tyre nuk i ndryshojmë dot, nuk e besoj dot. Nuk besoj se, vetëm në rast të keqkuptimit të ligjit, të dilet në mbrojtje të vjedhësve. Ky ligj nuk mohon të drejtën e askujt që të shkojë në gjykatë. Por nëse shteti gabon se një zyrtar i korruptuar ka dhënë sipërfaqe, pse nuk i dhënka e drejta shtetit sërish që të korrigjojë veten për të vendosur drejtësi sociale? Mendova se mund të ishte një keqkuptim i ligjit, por duket që kemi moral të ndryshëm në miratimin e këtij projektligji.
Vasilika Hysi (pa mikrofon): çfarë morali aman? Ky është morali juaj? Ne s'kemi marrë akoma rrogat. I keni marrë pronat për vete dhe...
Arenca Trashani (pa mikrofon): çfarë pronash?. Rri se s'kemi marrë as edhe një gjë. Por nuk i lëmë jo.
Pandeli Majko: Edhe sikur t'i besojmë dëshirës së mirë, unë mendoj se nëpërmjet këtij projektligji do të hapni një precedent për të riparë titujt e pronësisë nga agjencitë administrative. Neni 42 pika 1 Kushtetutës thotë se prona e fituar me ligj nuk cenohet pa proces të rregullt ligjor. E përsëris. Prekja e titujve të pronësisë nga agjencitë administrative është antikushtuese. Po krijojmë precedent. Të prekësh titullin e pronësisë me anë të administratës, ç'rëndësi kush është në pushtet, po shtroni një asfalt për të prekur titujt. Ka një vetëm një rrugë, me gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›