Ngërçi procedural bllokon rivotimin e ligjit zgjedhor
Telashet me Kodin e ri Zgjedhor nuk kanë të sosur. Ndonëse u miratua me 112 vota pro në Parlament pak ditë më parë, sërish fati i tij nuk dihet me saktësi. Mazhoranca e justifikon "ngërçin" dhe zvarritjen e Kodit me një aspekt procedural. Konkretisht, në nenin 86 të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë thuhet se "kur Presidenti i Republikës, në përputhje me nenin 85 të Kushtetutës, rikthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht". Sakaq, komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Ky raport përmban mendimin e komisionit dhe, sipas rastit, edhe propozime për nene të veçanta të ligjit. Në rastin konkret, drafti i projekt-kodit të ri zgjedhor ka kaluar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar i Reformës Zgjedhore. Para se të shkonte në seancë, Kodi nuk kaloi nga komisioni parlamentar i çështjeve ligjore. Rezulton se instanca e vetme që mund të rishqyrtojë Kodin Zgjedhor qoftë edhe në pikat ku ka kritikuar kreu i shtetit është vetëm Komisioni i Reformës Zgjedhore. Por mandati i këtij komisioni rezulton të ketë përfunduar zyrtarisht me mbylljen e draftit të Kodit të ri Zgjedhor. Për të zhvilluar një tjetër mbledhje, këtij komisioni i duhet një vendim i Kuvendit që e riaktivizon. Në të kundërt, Komisioni Parlamentar i Çështjeve Ligjore mendohet se nuk mund të ndërhyjë në një dokument që nuk e ka formuluar vetë. Shumica në pushtet thotë se kryerja e një veprimi të tillë do të çonte detyrimisht në shkeljen e rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Një situatë e tillë po rrezikon dukshëm partneritetin mes Partisë Demokratike në pushtet dhe Partisë Socialiste në opozitë. Ndonëse komunikimi publik për reformën zgjedhore nuk kishte njohur mospërputhje publike, së fundi kanë ardhur tonet e larta nga selia rozë. Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha deklaroi dy ditë më parë se çështja e Kodit të ri Zgjedhor mund të zgjidhet nga komunikimi mes kreut të socialistëve, Edi Rama, dhe liderit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Një mundësi për të kaluar Kodin me ndryshime siç edhe dëshiron Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mohohet dhe as pohohet. Ajo çka deri më tani është e sigurt ka të bëjë me faktin se socialistët nuk kanë ndërmend të bëjnë lëshime, nisur nga deklarimet publike. Sakaq, një bashkëpunim mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike për ndryshimin e Kodit, ende shikohet si i dyshimtë, por jo krejtësisht i pamundur.