E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, tani me Kushtetutë

 

Dje u fuqizua Kushtetuta e Kosovës, dokumenti që i jep institucioneve të vendit të drejtën për të qeverisur plotësisht Kosovën, i cili u miratua më 9 prill.  Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu nënshkroi 41 ligje që burojnë nga pakoja e Ahtisarit, që Kuvendi i Kosovës, në koordinim me Zyrën Civile Ndërkombëtare, i ka hartuar dhe miratuar 4 muajt e fundit. Sejdiu tha se pas shpalljes së pavarësisë, hyrja e Kushtetutës në fuqi është data më e rëndësishme për Kosovën. “Kosova është vend demokratik që do t’i zbatojë vlerat më të larta të demokracisë, duke i respektuar të drejtat e pakicave dhe duke synuar që në të ardhmen të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike. Presidenti kosovar tha po ashtu se, në Kosovë ka dhe do të ketë edhe probleme, sidomos në pjesën veriore të saj. Por, sipas tij, në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë, institucionet vendore do të punojnë që pushteti legal dhe rendi kushtetues të shtrihen dhe të zbatohen edhe në veri të Kosovës”, tha Sejdiu, pas ceremonisë së nënshkrimit të ligjeve të pakos së Ahtisarit, ku ishte i pranishëm edhe shefi i ICO-s, Pieter Feith. Ligjet e pakos së Ahtisarit të nënshkruara nga presidenti Sejdiu, i janë dorëzuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi i cili tha se: “Kosova do të ketë infrastrukturën e plotë ligjore që të funksionojë si shtet”, tha ai duke shpresuar që pas këtij hapi Kosova të njihet si shtet nga të gjitha vendet e botës. Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës u shënua me një ceremoni akademike solemne në Prishtinë rreth orës 19:00, ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë dhe politikë të Kosovës, ambasadorë dhe përfaqësues të zyrave diplomatike në Prishtinë, si dhe personalitete publike në Kosovë. Në ceremoni kryeministri Hashim Thaçi tha se që sot Kosova merr një dimension të ri dhe se dokumenti i fuqizuar është një garanci që kosovarët do të trajtohen njëlloj si qytetarët e tjerë në botë. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thanë se nuk do të lejojnë që Kushtetuta e Kosovës të zbatohet në pjesët e banuara me serbë. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç tha se, Kushtetuta e Kosovës është hap ilegal me “pasoja të dëmshme”. “Serbia nuk e pranon shpalljen e Kushtetutës së Kosovës si fakt juridik. Hyrja në fuqi e saj është ngjarje politike, sipas meje, me pasoja të dëmshme, por për Serbinë nuk  është juridikisht e vlefshme. Serbia e sheh Kosovën si krahinën e saj jugore.  Jemi të gatshëm të kthehemi në tryezën e negociatave. Kjo do të jetë strategjia dhe përgjigja jonë”, tha Tadiç për mediat serbe.

Bamir Topi
Dita e sotme është një ditë shumë e rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin dhe fqinjët e saj duke e kthyer atë në një shtet të barabartë dhe demokratik ku dokumenti bazë juridik dhe politik i funksionimit të shtetit garanton të tashmen dhe të ardhmen e të gjithe shtetasve të saj.

Sali Berisha
Kushtetuta e Republikës së Kosovës përbën një bazë të fortë për një Kosovë të pavarur demokratike, në të cilën respektohen plotësisht parimet themelore të demokracisë dhe të shtetit ligjor, respektohen plotësisht të drejtat dhe liritë e minoriteteve si dhe parimet e ekonomisë së tregut të lirë.

Lulzim Basha
Duke vlerësuar progresin e dukshëm që ka bërë Republika e Kosovës gjatë këtyre muajve të parë si shtet i pavarur, si dhe maturinë dhe vendosmërinë që udhëheqësit e saj po tregojnë në procesin e konsolidimit të institucioneve, të shtetit të së drejtës dhe zbatimin rigoroz të ligjit, MPJ është e bindur se Kosova ka kapacitetet e nevojshme për të përballuar me sukses  përgjegjësitë e reja.

Taulant Balla
“Përshëndes Kuvendin dhe popullin e Kosovës për miratimin e Kushtetutës, këtë gurthemel të ndërtimit të Kosovës evropiane. Kushtetuta e re konsakron në mënyrë të qartë rekomandimet e presidentit Ahtisari dhe garanton të gjithë qytetarët e Kosovës, shqiptarë, serbë dhe çdo minoritet tjetër, si e ardhmja e afërt e shtetit më të ri të Evropës, që do të sjellë mirëqenie dhe zhvillim për të gjithë”, tha deputeti i PS.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›