E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia bën çudinë në 14 minutat e fundit

Çmendet Turqia, që me një goditje të vetme përmbys traditën negative, që s’e shihte kurrë fituese ndaj republikës Çeke, por sidomos siguroi çerekfinalet e Evropianit, ku do të përballet me Kroacinë. 

 Gjithçka ka ndodhur në përfundim të një ndeshjeje rokamboleske dhe emocionuese, ku ndikoi jo pak edhe gabimi i pabesueshëm i portierit Çeh. Pas një pjese të parë tepër të mërzitshme, më tej kanë ardhur emocionet, gafat dhe golat. Madje ishin çekët që dhanë përshtypjen se e kishin siguruar fitoren, falë dy golave të Koler dhe Plasil. Megjithatë, turqit s’janë dorëzuar dhe kanë besuar deri në vërshëllimën finale të gjyqtarit. Fillimisht, Arda ka rihapur ndeshjen, ndërsa kur duheshin edhe pak minuta nga mbyllja e takimit, gafa e Çeh i ka dhënë mundësi të barazojë Nihatit, që brenda pak sekondash ka realizuar edhe golin e fitores. Ndërkohë që kartoni i kuq të portierit turk Vokan në fund (për reagim të dhunshëm ndaj Koler) ka ofruar të papriturën e panumërt, teksa mbrojtësi Tuncai është detyruar të luajë midis shtyllave, duke shpresuar në ndonjë aksion të rrezikshëm të çekëve, të cilët kanë qenë tepër të shokuar nga ajo që ndodhi, për të sulmuar. Nihat Kahveci u bë heroi i ndeshjes, pasi shënoi golin e tretë për kombëtaren e tij dhe të dytin personal. Dy gola, të cilët kualifikuan Turqinë e Fatih Terim arriti të dhurojë për të dytën ndeshje radhazi një spektakël në minutat e fundit, duke përmbysur gjithçka. Si në ndeshjen ndaj Zvicrës, ku rikuperuan një disavantazh prej një goli, edhe në ndeshjen ndaj Çekisë, ku këtë herë rikuperuan një disavantazh prej plot dy golash, u dhuroi atyre një biletë për në raundin tjetër, e cila në fakt është plotësisht e merituar, pas një shpirti gare dhe emocioneve që dhuruan në fushë. Nga ana tjetër, një eliminim me nder për Çekinë, e cila në tre ndeshje arriti të fitojë ndaj Zvicrës me rezultatin 1-0, u mund nga Portugalia në ndeshjen e dytë dhe mbrëmë, ku u mund nga Turqia vetëm në minutat e fundit të lojës.
Zvicër-Portugali 2-0
Falë një dygolëshi të Hakan Jakin, Zvicra, për herë të parë në histori, ka arritur të fitojë një ndeshje në fazën finale të Evropianit. Një ndër vendet organizatorë kanë mposhtur pastër 2-0 rezervat e Portugalisë, që megjithatë kanë dominuar plotësisht gjatë pjesës së parë. Dy penallti të kërkuara, një traversë, një shtyllë dhe shanse të tjerë për lojtarët e Skolarit, të cilët pas sigurimit të kualifikimit, janë detyruar të pësojnë humbjen e parë në këtë Evropian. Lëvizja fitimtare për zviceranët ishte aktivizimi në lojë e sipër i Barnetës, i cili u dhuroi vendësve më tepër ekuilibër. Gjithsesi, njeriu vendimtar me golat e tij rezultoi pikërisht turku i natyralizuar zviceran, Murat Jakin, i cili e ka mbyllur aventurën evropiane, duke shënuar tre herë në dy ndeshjet e fundit. Për portugezët mungonin as më pak e as më shumë se Kristiano Ronaldo, Deko, Karvajo e Simao Sabroza, të gjithë të gatshëm për ndeshjen e ardhshme, me shumë mundësi, kundër Gjermanisë së Joakim Lëvit, e cila pret të përballet dhe të eliminojë vendin tjetër organizator, Austrinë, mbrëmjen e sotme. Ashtu siç pritej, sfida nuk ka dhuruar ndonjë emocion të jashtëzakonshëm, dhe në këtë mënyrë tifozeria vendëse i është gëzuar triumfit të parë në këtë kompeticion kaq të rëndësishëm.

Turqi – Çeki  3-2

Golat: Arda 75’, Nihat 87’, 89’ / Koler 34’, Plasil 62’
Turqia (4-4-2): Demirel, Altintop, Gungor (Ashik 63’), Çetin, Balta, Topal (Kazim 57’), Aurelio, Turan, Sanli, Nihat, Senturk (Sarioglu 46’)
Trajner: Fatih Terim
Çekia (4-1-4-1): Çeh, Grigera, Ujfalushi, Rozehnal, Jankulovski, Galashek, Sionko (Vlçek 84’), Matejovski (Jarolim 39’), Polak, Plasil (Kadlec 80’), Koler
Trajner: Karel Brukner
Kartona të verdhë: Topal, Aurelio, Turan, Ashik / Ujfalushi, Galashek, Barosh
Karton i kuq: Demirel
Gjyqtar: Peter Frojdfeld

Zvicër-Portugali  2-0

Golat: Jakin 71’, 83’ (pen)
Zvicër (4-4-2): Zuberbuhler, Lishtsteiner (83’ Grictin), Muller, Senderos, Magnin, Behrami, Fernandes, Inler, Vonlanthen (61’ Barneta), Jakin (86’ Kabanas), Derdiok
Trajner: Jakob Kuhn
Portugali (4-3-2-1): Ricardo, Miguel, Pepe, Bruno Alves, Paulo Ferreira (41’ Riberio), Fernando Meira, Miguel Veloso (71’ Mutinjo), Raul Meireles,  Kuarezma, Nani, Postiga (74’ Almeida)
Trajner: Luis Felipe Skolari
Gjyqtar: Konrad Platz
Kartonë të verdhë: Barneta, Fernandes, Vonlaten, Jakin, Migel, Meira, Ferreira, Ribeiro

Grupi C Frika për “tradhti”

Van Basten: Me më të mirët!
Do të bëjë disa ndryshime në skuadër, për t’i lënë pushim disa nga lojtarët që kanë nevojë për një pauzë. Por nuk do të bëjë revolucion në formacion në ndeshjen kundër Rumanisë dhe nuk ka aspak ndërmend që t’i pengojë lojtarët e tij që të bëjnë lojën e tyre, aq më tepër që Holanda po kalon një moment magjik. Van Basten e ka thënë këtë gjë menjëherë pas fitores me Francën, por e ka përsëritur edhe dje, duke lënë të kuptohet se e ka shumë seriozisht kur thotë se skuadra e tij, megjithëse e kualifikuar tashmë, do të kërkojë fitoren përballë rumunëve, në ndeshjen e fundit të grupit C. “Do të hedh në fushë formacionin më të mirë të mundshëm”, ka thënë trajneri i ‘tulipanëve’.

Trap risheh kompromisin
“Holandë-Rumani? Më duket si një film që e kam parë edhe më parë...”, shprehet ish-tekniku i përfaqësueses së Italisë, Xhovani Trapatoni. Katër vite më parë kur drejtonte axurrët në Evropianin e zhvilluar në Portugali, Trapatoni u skualifikua pikërisht nga një kompromis mes Suedisë e Danimarkës, të cilat në përballjen e tyre direkt ndanë barazimin 2-2 (rezultati i vetëm që dëbonte Italinë). Duke marrë shkas pikërisht nga e kaluara e tij e hidhur, tekniku paralajmëron: “Këto situata janë të paevitueshme. Tashmë futbolli kushtëzohet nga shumë interesa që anashkalojnë edhe etikën...”.

Maldini: Marko një garanci!
Një tjetër ish-trajner i përfaqësueses së Italisë, Çezare Maldini që drejtoi axurrët në Botërorin e Francë ‘98, ka vizituar rezidencën e përfaqësueses italiane. “Mbi seriozitetin e Van Basten dhe holandëzëve mund t’u siguroj unë. Kundër Rumanisë do të luajnë të mobilizuar e impenjuar. Në këtë kuadër dua të shtoj edhe se Van Basten sapo ka lidhur një kontratë dy-vjeçare me Ajaksin, por jam në dijeni se më pas dëshiron të vijë në Itali si trajner. Nuk di nëse do të vijë te Milani, por me siguri që dëshiron të prezantohet me ndërgjegjen e pastër, ndaj s’mund të humbasë me qëllim ndaj Rumanisë”, përfundoi Çezare Maldini.

Italia, gati rikthimi i Lipit
Sikur të nuhatej një eliminim i shpejtë nga Evropiani, në kampin e Italisë ka nisur që tani udhëtimi drejt të ardhmes, ku figura më në qëndër të vëmendjes është një personazh i suksesshëm i të shkuarës, Marçelo Lipi, i cili dy vite më parë fitoi në Gjermani Kupën e Botës. Për këtë të fundit flitet se e ka thuajse të firmosur zyrtarisht kontratën për të rimarrë drejtimin e përfaqësueses italiane, duke zëvendësuar Roberto Donadonin, e cilësuar si shkaktarin kryesor për ecurinë jo të mirë të të kaltërve.

Balak: Të tregojmë kush jemi!

Mesfushori i Kombëtares së Gjermanisë, i cilësuar si lideri i saj, Mikael Balak, ka paralajmëruar shokët e skuadrës se nuk ka më as kohë dhe as vend për t’i lejuar vetes gabime.

Para ndeshjes me Austrinë, ku e vlefshme është vetëm fitorja, Balak dëshiron të shohë te Gjermania pasionin që ajo ka për lojën e futbollit. “Do luajmë një ndeshje mjaft të fortë, pasi përballë kemi një kundërshtar që s’ka asgjë për të humbur dhe do të japë më të mirën e tij. Skuadrat që hyjnë në fushë në të tilla kushte dhe pa asnjë lloj presioni janë me të vërtetë të rrezikshme. Nuk duhet të bëjmë as edhe një gabim, pasi këtë herë një rezultat negativ do të thotë të jemi jashtë kompeticionit. Kështu që nuk mund t’ia lejojmë vetes kurrsesi diçka të tillë. Kemi ardhur këtu për të fituar dhe duhet të luftojmë maksimalisht për ta arritur”, – u shpreh Balak. Megjithatë, mesfushori gjerman mendon se në kombëtare ka ende vend për përmirësime. “Kemi shumë lojtarë të rinj tepër të talentuar, por që edhe mund të bëjnë gabime gjatë lojës. Mirëpo, gabime të këtilla janë fatale në një kompeticion si Evropiani. Pra, kemi akoma punë për të bërë. Gjithsesi, unë them se jemi aq të aftë sa për të arritur objektivin tonë në Evropian, që normalisht është titulli kampion”, – theksoi mesfushori Balak. Ndërkohë që Lukas Podolski, Filip Lahm dhe Ueiko Vesterman u rikthyen në skuadër, pas dëmtimesh të vogla, Marsel Jansen është ende në dyshim për takimin me austriakët. “Nuk duhet të përqendrohemi te lojtarët që do jenë apo nuk do jenë në fushën e lojës. Detyra ime është drejtimi i skuadrës dhe unë jam i gatshëm ta bëj këtë, duke dhënë më të mirën time”, – përfundoi Mikael Balak. Në fakt, Gjermania e nisi shumë mirë këtë kompeticion, duke fituar me meritë në ndeshjen e parë përballë Polonisë, ndërkohë që në të dytën u mund nga Kroacia, e cila arriti të sigurojë edhe vendin e parë në këtë grup. Tashmë, Gjermania duhet të ndeshet me Austrinë, në një takim ku do vendoset se cili ekip do kualifikohet i dyti në grup.
Përgatitësi fizik i përfaqësueses së Gjermanisë, amerikani Shad Forsit, ka marrë rezultate mjaft të mira nga testet fizike që u bëri lojtarëve të kombëtares ditën e djeshme. “Kam analizuar formën e lojtarëve të kombëtares, sidomos të atyre që kanë luajtur për 90 minuta në dy ndeshjet e para dhe në fakt, ata vazhdojnë të jenë në një formë shumë të mirë dhe janë të aftë të përballojnë shkëlqyeshëm edhe përballjen me Austrinë”, u shpreh Forsit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›