E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxori Mediun deputet, emërohet zëvendësministër

Historia e suksesit politik të ish-futbollistit të famshëm të Besës së Kavajës, Dashnor Bajaziti

Shaban Sulçe
Emërimi dy ditë më parë i Dashnor Bajazitit në postin e zëvendësministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk ka qenë i rastësishëm. Ai e ka përfituar këtë post falë marrëveshjes paszgjedhore midis Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane, por merita e tij qëndron diku gjetkë dhe ka lidhje pikërisht me rezultatin në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Bajaziti ishte kandidati i Partisë Republikane në qarkun e Tiranës në këto zgjedhje. Zona e tij elektorale ishte rrethi i Kavajës, ku Bajaziti, një ish-futbollist i njohur i skuadrës së Besës, arriti që të fitonte një numër mjaft të konsiderueshëm votash. Ai arriti të fitojë 1525 vota në zonën elektorale, duke qenë kandidati më i votuar i Partisë Republikane në qarkun e Tiranës. Pikërisht këto vota ishin shumë përcaktuese në fitimin e mandatit të vetëm të Partisë Republikane. Por, ndonëse pati rezultatin më të mirë se kandidatët e tjerë republikan, Bajaziti nuk u zgjodh deputet, pasi mandatin e vetëm e përfitoi kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili udhëhiqte listën e PR-së në qarkun e Tiranës. Megjithatë, Mediu ka arritur t’ia shpërblejë më së miri kontributin elektoral ish-futbollistit të njohur të Besës së Kavajës, duke ia propozuar emrin e tij kryeministrit Berisha për ta caktuar zëvendësministër të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Votat e PR-së
Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Partia Republikane arriti të grumbullojë 6131 vota në qarkun e Tiranës. Nga këto, Partia Republikane arriti të fitojë 1525 vota në KZAZ-në Nr. 59, që mbulonte bashkinë e Kavajës, e njohur ndryshe jo vetëm si bastion i Partisë Demokratike, por edhe si zona elektorale e kryeministrit Berisha. Një rezultat i tillë i kënaqshëm për PR-në në Kavajë i dedikohet edhe kandidimit të Dashnor Bajazitit, ish-futbollistit dhe ish-golashënuesit të famshëm të Besës së Kavajës. Në Kavajë, Partia Republikane u rendit forca e tretë, pas Partisë Demokratike (8123 vota) dhe Partisë Socialiste (4484) vota. Nga 56 qendra votimi në këtë zonë, Partia Republikane është votuar në 46 prej tyre, madje në 5 qendra votimi Partia Republikane ka dalë forcë e dytë, duke lënë pas edhe Partinë Socialiste. Konkretisht, në Qendrën e Votimit Nr. 2125, Partia Republikane ka fituar 51 vota kundrejt 32 të PS-së, në Qendrën e Votimit Nr. 2172 (PR 81, PS 77), në Qendrën e Votimit Nr. 2175 (PR 65, PS 62), në Qendrën e Votimit Nr. 2181 (PR 42, PS 38) dhe në Qendrën e Votimit Nr. 2182 (PR 36, PS 20).

Mandati
Partia Republikane arriti të fitojë vetëm një mandat deputeti në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ky mandat u fitua pikërisht në qarkun e Tiranës dhe atë e përfitoi kreu i kësaj partie, Fatmir Mediu, i cili kryesonte listën e PR-së në këtë qark. PR-ja arriti ta siguronte përfaqësimin në Parlament falë formulës “Saint Laguë”, e cila ishte formula e sanksionuar në Kod, që do të bënte përllogaritjen e mandateve të fituara brenda koalicionit. Partia Republikane ishte e vetmja forcë politike që siguroi një mandat deputeti në saj të kësaj formule në qarkun e Tiranës. Ky mandat rezultoi deciziv, pasi vendosi balancën 15 me 15 të mandateve të fituara nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike në këtë qark.

Partia Republikane, e votuar në periferi

Ndonëse të vetmin mandat e ka fituar në qarkun e Tiranës, interesant është fakti se Partia Republikane ka marrë një rezultat shumë të dobët në qytetin e Tiranës. Në 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit, Partia Republikane ka marrë një numër modest votash, ndërkohë që kjo forcë politike rezulton shumë e votuar në KZAZ-të që përfshijnë provincat dhe zonat periferike të qarkut të Tiranës. Kështu, pas Kavajës, PR-ja ka marrë një numër të madh votash në bashkitë Kamzë dhe Rrogozhinë, si dhe në KZAZ-në që përfshin komunën e Paskuqanit. Konkretisht, në Kamzë, Partia Republikane ka fituar 987 vota, në Rrogozhinë 805 vota, ndërsa në Paskuqan 686 vota.

Qendrat e votimit ku PR-ja doli forcë e dytë në Kavajë

Qendra e votimit PR PS

Numri 2125 51 vota 32 vota
Numri 2172 81 vota PS vota
Numri 2175 65 vota 62 vota
Numri 2181 42 vota 38 vota
Numri 2182 36 vota 20 vota

Votat e PR-së në qarkun e Tiranës

KZAZ Nr.45 Njësia Bashkiake Nr.1 142 vota
KZAZ Nr.46 Njësia Bashkiake Nr.2 201 vota
KZAZ Nr.47 Njësia Bashkiake Nr.3 93 vota
KZAZ Nr.48 Njësia Bashkiake Nr.4 154 vota
KZAZ Nr.49 Njësia Bashkiake Nr.5 206 vota
KZAZ Nr.50 Njësia Bashkiake Nr.6 324 vota
KZAZ Nr.51 Njësia Bashkiake Nr.7 134 vota
KZAZ Nr.52 Njësia Bashkiake Nr.8 241 vota
KZAZ Nr.53 Njësia Bashkiake Nr.9 138 vota
KZAZ Nr.54 Njësia Bashkiake Nr.10 101 vota
KZAZ Nr.55 Njësia Bashkiake Nr.11 94 vota
KZAZ Nr.56 bashkia Kamzë 987 vota
KZAZ Nr.57 bashkia Tiranë 300 vota
KZAZ Nr.58 komuna Paskuqan 686 vota
KZAZ Nr.59 bashkia Kavajë 1521 vota
KZAZ Nr.60 bashkia Rrogozhinë 805 vota

Dashnor Bajaziti, dy “Këpucë të arta” në kampionatin shqiptar

Dashnor Bajaziti ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar pasi ka qenë një nga golashënuesit më të mirë të kampionatit kombëtar. Ish-futbollisti i famshëm i Besës ka arritur që të shpallet dy herë edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit. Bajaziti ka fituar për herë të parë “Këpucën e Artë” në Kampionatin Kombëtar të vitit 1981, duke shënuar 12 gola, si dhe në Kampionatin Kombëtar të vitit 1983, duke shënuar 16 gola.

23 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›