Leskaj: “Kryeministri nuk u përgjigj për Fazlliçin, sepse ka shitur interesat e vendit”
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se kryeministri Berisha, në mënyrë të paturpshme iu shmang përmbajtjes së mocionit për debat, të kërkuar nga Partia Socialiste. Leskaj tha se kryeministri Berisha vazhdon të fshehë të vërtetat për lidhjet e tij me Fazlliçin, sepse sipas saj, Berisha është shumë i kompleksuar në lidhje me këtë çështje.
“Kryeministri është i kompleksuar nga çështja ‘Fazlliç’, ndaj nuk iu përgjigj pyetjeve duke fshehur të vërtetat që tashmë janë bërë domein publik. Ai nuk u përgjigj se cili është statusi i këtij njeriu, që siguria kombëtare është në duart e tij për sa kohë që qeveritarë dhe funksionarë të lartë të sigurisë kombëtare raportojnë përpara tij, edhe pse dihej që kohë më parë ‘BG&R’ që e solli këtu kishte lobuar kundër çështjes së Kosovës, Berisha nuk u përgjigj se ç’përfaqëson ky njeri që ka në dorë shtetin, që duket hapur se i krijohen lehtësira e merret edhe në mbrojtje, duke bërë presion mbi Prokurorinë”, - tha Leskaj. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së renditi gjithashtu edhe një sërë çështjesh, të cilat ishin shmangur nga kryeministri në seancën e mocionit për debat. Leskaj tha se Berisha nuk u përgjigj për marrëdhëniet e Fazlliçit me “BG&R”, me qeverinë, me përfitimet nga paratë publike të energjisë dhe me çështjen e pastrimit të parave. “Me fjalimin e tij, kryeministri bëri dje një përpjekje e dëshpëruar për të spostuar vëmendjen nga skandali ‘Fazlliç’, që e bën direkt përgjegjës dhe kjo është kapje e shtetit”.
“Kryeministri nuk u përgjigj pse i ka shpërfillur interesat e shtetasve të këtij vendi, për sa kohë që mes interesave të vendit dhe atyre të Fazlliçit ka zgjedhur këtë të fundit. Natyrisht që kryeministri është i lirë në zgjedhjen e tij, është i lirë të zgjedhë mikun e tij personal Fazlliç përpara shqiptarëve, po jo në cilësinë e kryeministrit të vendit”, - tha Leskaj.
5 Nentor 2008