E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet formula e ndarjes së mandateve për deputetë

Partitë duhet të marrin mbi 3% për t’u futur në Kuvend, koalicionet mbi 5%. Komisioni miraton 51 nene, sot pritet miratimi i përbërjes së KQZ-së

Eljona Ballhysa
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor ka marrë në shqyrtim formulën e ndarjes së mandateve për deputetë. Në bazë të kësaj formule arrijnë të përfaqësohen në Kuvend partitë politike që marrin një rezultat mbi 3% të votave, si dhe koalicionet që marrin një rezultat mbi 5% të votave. Ndërkohë që është parashikuar që mandatet për deputetë të përftohen nga numri i votave në nivel zone zgjedhore të secilit subjekt zgjedhor pjesëtuar me numrin e kandidatëve për deputetë që përmban lista e subjektit zgjedhor në nivel zone zgjedhore. Gjatë mbledhjes së djeshme anëtarët e komisionit kanë miratuar 51 nene të tjera të Kodit Zgjedhor, ndërkohë që bëhet e ditur se gjatë ditës së sotme komisioni do të vendosë për përbërjen e KQZ-së.
Subjektet zgjedhore
Sipas Kodit të ri Zgjedhor, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se tri ditë pas përfundimit të procesit të ankimimit kundër vendimit për rezultatin e zonës zgjedhore. “KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zonë zgjedhore. Për zgjedhjet në Kuvend përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike që kanë marrë më pak se 3% dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5% të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse”, - parashikohet në Kodin e ri Zgjedhor. Më tej në Kod parashikohet që numri i votave të vlefshme në nivel zone zgjedhore të secilit subjekt zgjedhor (parti, ose koalicion) pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin që i korrespondon numrit të mandateve që shpërndahen një qarkun përkatës. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogli duke renditur përkrah tyre subjektin të cilit i përket herësi përkatës. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen në qarkun përkatës. Një subjekt zgjedhor përfton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar. Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka numrin më të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre subjekteve nga KQZ-ja.
Koalicioni
Po e njëjta procedurë ndiqet për ndarjen e mandateve brenda koalicionit. Kodi i ri parashikon që shpërndarja e mandateve brenda koalicionit përllogaritet mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që secila parti pjesëtare e koalicionit ka marrë në zonën zgjedhore përkatëse dhe numrit të mandateve që koalicioni ka fituar në zonën zgjedhore përkatëse. Numri i votave të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin që i korrespondon dyfishit në numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Hapi nga njëri pjesëtues te tjetri është dy. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogli, duke renditur përkrah tyre subjektin të cilit i përket herësi. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen brenda koalicionit në zona zgjedhore përkatëse. Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike në bazë të listës së kandidatëve të depozituar më parë në KQZ, në rend zbritës, duke filluar nga numri 1. Ndërsa kryetari i partisë që është regjistruar në më shumë se një listë zgjedhore rezulton fitues në listën ku ka marrë më shumë vota.

5 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›