Meta: “PS dhe PD duan të na dëmtojnë në Kod, sepse jemi forca që i sfidojmë”
Shaban Sulçe
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se LSI-ja nuk do të tërhiqet nga aksioni i saj për të denoncuar dhe kundërshtuar komplotin e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Meta denoncoi marrëveshjen midis PS-së dhe PD-së për të hartuar një kod zgjedhor ku synohet heqja e komisionerëve të LSI-së. Ai tha se kjo bëhet me qëllim për të dëmtuar LSI-në, e cila është forca politike që jo vetëm sfidon dy partitë e vjetra, PS dhe PD, por do të hyjë në zgjedhje me objektivin e qartë për t’i fituar ato. “I gjithë thelbi, i gjithë qëllimi i të dyja palëve ka qenë dhe mbetet manipulimi i zgjedhjeve përmes manipulimit të administrimit të zgjedhjeve, që do të garantohet, sipas tyre, përmes shmangies dhe eliminimit të përfaqësimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në të gjitha nivelet e komisioneve, që nga KQZ-ja, ku ju e dini që LSI-ja ka anëtarin e propozuar prej saj, e në të gjithë nivelet e tjera. Kështu që, Konventa e djeshme ishte një reagim emergjent për sensibilizimin e anëtarëve dhe përfaqësuesve të LSI-së, në mënyrë që të vijojë edhe me aktivitete shumë më të mëdha dhe popullore në mbrojtje të votës së lirë. Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa kjo”, - tha Meta.
Deklarata e OSBE-së
I pyetur nga gazetarët se si e komentonte deklaratën e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë Robert Bosh (i cili tha se LSI-ja duhet të ketë përfaqësuesin e saj në KQZ), Meta tha se “ne kemi vite që përpiqemi të punojmë me OSBE-ODIHR-in, në mënyrë që Shqipëria të shënojë progres në zgjedhje dhe jo regres, sikurse ka ndodhur”. Kryetari i LSI-së akuzoi Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike se kanë shkelur rekomandimet e dhëna nga OSBE-ja për të realizuar një proces gjithëpërfshirës përsa i takon realizimit të reformës zgjedhore. ”Rekomandimi kryesor i OSBE-së ka qenë rritja e gjithëpërfshirjes dhe mendoj që ky ka qenë një qëndrim shumë parimor dhe rezultati i reformës Xhafa-Rusmali është pikërisht monopolizimi i procesit dhe jo gjithëpërfshirja”, - vijoi kreu i LSI-së.
Komploti
Meta tha se aktualisht Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë shumë larg realizimit të reformës zgjedhore. Sipas tij, dy partitë në fjalë kanë rënë dakord që të komplotojnë jo vetëm kundër LSI-së, por edhe kundër zgjedhjeve dhe kundër barazisë së votës së shqiptarëve. “E gjitha kjo tregon se nuk kemi të bëjmë me një reformë zgjedhore, por me një komplot, që nuk është thjesht kundër LSI-së, është kundër zgjedhjeve, është kundër integritetit të procesit, është kundër barazisë së votës së qytetarëve shqiptarë. Sepse, kjo që ata dëshirojnë të bëjnë ka vetëm një shkak, është fakti që LSI-ja nuk është një forcë që kontrollohet apo që varet, qoftë nga PD-ja apo nga PS-ja, është një forcë reale, është një forcë sfidante, konkurrente me to dhe ata kërkojnë të eliminojnë konkurrencën në zgjedhje, transparencën në këtë proces dhe të frikësojnë votuesit që tani me idenë se zgjedhjet do të ndahen në tavolinë dhe jo atje ku do të shprehen qytetarët shqiptarë në vitin 2009. Kështu, që është tërësisht i papranueshëm dhe do të jetë i patolerueshëm ky komplot kundër zgjedhjeve në Shqipëri”, - vijoi Meta. I pyetur rreth përbërjes që duhet të ketë KQZ-ja, Meta tha se qëndrimi i LSI-së është që të mos përjashtohet asnjë forcë politike nga procesi i administrimit të votës. “Jemi që procesi të jetë sa më gjithëpërfshirës. Por, në të gjitha rastet, procesi nuk mund të ketë asnjë lloj integriteti dhe nuk do të zhvillohet, në rast që forca e tretë politike deri tani dhe që synon të dalë e para në këto zgjedhje, Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk do të jetë e përfaqësuar në të gjitha nivelet e administrimit. Pastaj, ne jemi dakord që të jenë edhe PSD-ja, dhe PDS-ja edhe PAD-ja. Nuk ka ardhur ndonjëherë nga ne ky problem dhe ne nuk kemi qenë të kufizuar për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e forcave të tjera politike”, - tha Meta.
5 Nentor 2008