E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamera dhe monitorë në qendrat e numërimit të votave



Kodi i ri Zgjedhor parashikon që qendrat e numërimit të votave duhet të përcaktohen 60 ditë përpara fillimit të zgjedhjeve. Kjo do të jetë fillimisht detyra e prefektit të qarkut, i cili 60 ditë përpara ditës së votimit duhet t’i paraqesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve listën e plotë të objekteve brenda territorit të qarkut. KQZ-ja, me vendimin e saj, duhet të caktojë vendin e numërimit të votave, të cilat duhet të jenë salla me përmasa të mëdha ose palestra sportive. Vendet e numërimit të votave duhet të vihen në dispozicion të KZZ-ve jo më vonë se 10 ditë para datës së zgjedhjeve, ndërkohë që këto vende jo më vonë se 5 ditë para procesit zgjedhor duhet t’u bëhen të ditura subjekteve zgjedhore dhe anëtarët e KQV-ve. Në Kod parashikohet që qendrat e numërimit të votave të jenë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme logjistike, përfshirë edhe ndriçimin e pandërprerë për të siguruar një proces korrekt të numërimit të votave. Në këto salla do të vendosen tryeza pune për çdo grup numërimi, të cilat duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme për kryerjen e procesit të numërimit të votave. Tryezat do të vendosen në një mënyrë të tillë që të jenë të shikueshme nga anëtarët e KZAZ-së, nga vëzhguesit, kandidatët dhe përfaqësuesit e medias. Vëzhguesit duhet të qëndrojnë përballë grupeve të numërimit në një largësi të vogël nga tryezat e punës, por në largësi të atillë që të mos kenë kontakt fizik me materialet e votimit. Pajisjet e nevojshme logjistike për procesin e numërimit të votave sigurohen nga KQZ-ja në bashkëpunim me organet e tjera qendrore ose vendore. Në sallat e numërimit të votave, KQZ-ja vendos përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve) për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre. Kamerat me rezolucion të lartë instalohen mbi tavolinën e numërimit në mënyrë të tillë që bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi. Regjistrimi filmik transmetohet në kohë reale në monitorë (ekrane) të vendosura përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Regjistrimi filmik i procesit ruhet në media elektronike dhe dorëzohet në KQZ së bashku me materialet e tjera zgjedhore. KQZ-ja mund të riprodhojë kopje të tyre dhe t’ua vërë në dispozicion subjekteve zgjedhore kundrejt një tarife që mbulon koston e prodhimit.

5 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›