Kodi Zgjedhor garanton karrigen parlamentare të kryetarëve të partive
Kryetarët e partive politike, ndryshe nga kandidatët e tjerë për deputetë, do ta kenë të sigurt karrigen e deputetëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Këtë e parashikon Kodi i ri Zgjedhor. Në të bëhet e ditur se kryetarët e partive politike që konkurrojnë veçmas apo si pjesëtarë të një koalicioni mund të kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend. Ndërkohë, po në këtë Kod parashikohet se kandidati për deputet i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. Duket qartë se një nen i tillë i Kodit të ri Zgjedhor parashikon favorizimin e kryetarëve të partive politike. Këta të fundit, jo vetëm se kanë të drejtën e hartimit të listës së kandidatëve për deputetë, por u jepet edhe e drejta për të kandiduar në disa zona zgjedhore, duke garantuar në këtë mënyrë karrigen e deputetit.
Dokumentet e nevojshme për të kandiduar
Dokumentet e kandidimit duhet të përmbajnë këto të dhëna:
a) Listën e plotë të kandidatëve me renditjen përkatëse të nënshkruar nga kryetari i partisë ose propozimin nga Komiteti Nismëtar i një grupi zgjedhësish;
b) Emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, gjininë, adresën e kandidatit dhe një kopje të dokumentit të identifikimit;
c) Deklarimin e kandidatit që ai gëzon të drejtën dhe vullnetin për të kandiduar;
d) Deklarimin e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish se ai/ajo nuk do të mbështetet apo mbështesë asnjë parti politike në zgjedhje;
e) Një listë e nënshkruar nga zgjedhësit e zonës përkatëse që mbështesin kandidatin ose partinë.
5 Nentor 2008