Leskaj: Ky ligj është bërë vetëm për interesa politike
Ashtu siç kishte paralajmëruar, qëndrimi i opozitës për ligjin e pastërtisë së figurave ka qenë kundër. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ka theksuar se projekti i paraqitur nga mazhoranca provon se ata nuk janë të interesuar të pastrojnë politikën dhe drejtësinë, pavarësisht arsenalit të retorikës që përdorin. Duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës në sallë, Leskaj tha se "është e qartë se edhe ky projekt është bërë jo për interesa kombëtare, jo për interesa të njerëzve, jo për interesa transparence, apo pastrimi po për motive e interesa private". Çështjen e dosjeve, tha Leskaj, PD-ja e mbajti për më shumë se dy vjet në sirtar, për ta nxjerrë tani kur ju duhet të spostojnë vëmendjen nga skandalet korruptive që janë të papara e dëgjuara. Për opozitën, demokratët e nxjerrin këtë ligj para zgjedhjeve, pasi ndiejnë nevojën për të trembur ata që brenda grupit të PD-së marrin kurajën të pipëtijnë. PD, tha Leskaj, e nxjerr këtë ligj nga sirtari tani që ka probleme me drejtësinë, për t‘i bërë presion që të mos veprojë. "Doni të godisni Prokurorinë për të mbyllur superskandalet korruptive, që lidhen me dosjen e Rrëshen-Kalimash, me dosjen e Gërdecit, me dosjen Fazlliçit, me atë Remzi Hoxhës, e të tjera që presin në radhë", është shprehur kryetarja e grupit të PS-së. Por ka shtuar ajo, pavarësisht nga arsyet që e shtyjnë PD-në për ta sjellë këtë ligj tani në Kuvend, duke parë projektligjin, opozita ka motive shumë të forta të refuzojë duke mos u bërë pjesë e kësaj farse. Për opozitën, ky projekt është antikushtetues, ai bie ndesh me ligjet organike në fuqi për institucionet e drejtësisë, bie ndesh me parimet dhe kriteret e Këshillit të Evropës, dhe së fundi edhe me Rezolutën dhe Rregulloren e Kuvendit, që vetë i keni miratuar. Duke u ndalur te Kushtetuta, Leskaj tha se projekti, ka papajtueshmëri me të paktën 20 norma të saj. Ai cenon dhe shkel në mënyrë flagrante garancitë kushtetuese mbi mandatet e organeve kushtetuese, të cilat përmbajnë një numër të shteruar të rasteve të përfundimit të detyrës si për: Presidentin, deputetët, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, anëtar i Gjykatës së Lartë, anëtar i gjykatave të Faktit dhe Apelit, Prokuror i Përgjithshëm, të zgjedhur vendor etj. Gjithashtu, tha Leskaj, projekti ka shkelje të Kushtetutës në lidhje me të drejtat e njeriut. Sipas saj, projekti bie ndesh me standardet dhe legjislacionin organik në fuqi, për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor dhe atë për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Nëse ky projektligj miratohet, tha Leskaj, institucionet e drejtësisë futen në krizë duke filluar nga Gjykata Kushtetuese. Ne, tha kryetarja e grupit të PS-së, kemi kërkuar, jo sot, po të paktën katër muaj më parë, që projekti të bëhej me konsulencë të institucioneve të specializuara në këtë fushë dhe ju keni pasur gjithë kohën e nevojshme që ta realizonit. Por ka theksuar ajo, për ne, është e qartë se juve nuk ju duhet një ligj në standarde, juve ju duhet një ligj që ta përdorni si mjet presioni ndaj prokurorisë e gjykatave për të mbrojtur Lulin dhe ata që janë pas tij, ju duhet për të mbrojtur shkaktarët e Gërdecit, Fazliçin dhe gjithë dosjet e tjera. Gjithashtu, Leskaj ka dhënë edhe arsyet e opozitës pse ata janë për hapjen e dosjeve, për një ligj në frymën e rezolutës së Këshillit të Evropës, e cila ka në themel dekomunistizimin e shoqërisë, jo përdorimin e tij për të mbrojtur korrupsionin, për një ligj që nuk bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe nuk fut në krizë institucionet kushtetuese po i forcon duke i pavarësuar ato. Leskaj ka theksuar në fund të fjalës së saj se opozita nuk mund të bëhet palë me një projekt që nuk synon pastrimin apo përdorimin e institucioneve, mbrojtjen e korrupsionit shtetëror përmes presionit mbi prokurorinë dhe gjykatat.