E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria i jep KESH-it 26 milionë euro për dritat

Qeveria i akordon KESH-it 26 milionë euro subvencion dhe kredi për të bërë importe të tjera të energjisë. Kryeministri Berisha bëri të ditur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se një pjesë e fondit të rialokuar do të përdoret si kredi dhe subvencion për KESH-in. Premtimi për 24 orë drita duket se do t‘i kushtojë 26 milionë euro më shumë qeverisë "Berisha". Kryeministri informoi se shuma e akorduar KESH-it si subvencion dhe kredi do të jetë 26 milionë euro dhe do të përdoret për të bërë importe të tjera të energjisë. Si rezultat i këtij regjimi importi, u shpreh Kryeministri, u arrit që të mos ketë ndërprerje të programuara të energjisë, por vetëm ndërprerje aksidentale apo për shkak të remonteve. "Përsëri ne po importojmë. Nuk them se nuk ka pasur ndërprerje aksidentale apo për shkak të remonteve. Në mënyrë absolute, direktiva ka qenë të mos ketë asnjë minutë ndërprerje", u shpreh ai. Sipas Kryeministrit, dritat i kanë hequr të papërgjegjshmit, pasi ai bëri publik faktin se urdhri i qeverisë ishte dhe është që të ketë drita 24 orë. Ndaj dhe do t‘i japim KESH-it kredi dhe subvencion, si dhe ujësjellësve, për ta paguar në mënyrë që të futemi në rrugën e sigurisë së furnizimit të energjisë elektrike. Mund të them se në vitin 2008, ne hymë në këtë rrugë. Kjo rrugë përforcohet me ndërtimin e TEC-it në Vlorë dhe vullneti ynë është importi në të gjithë sasinë e nevojshme për qytetarët", u shpreh ai. Kryeministri u shpreh se KESH-i ka zbatuar me rigorozitet direktivën e qeverisë për importin e sasive maksimale të mundshme të energjisë, duke u shkëputur nga praktikat e kufizimit të energjisë, si dhe duke përmbushur një premtim të qeverisë se fundi i vitit 2007 do t‘u japë fund ndërprerjeve të energjisë elektrike. "Ka qenë një premtim i hershëm i imi se fundi i vitit 2007 do t‘u japë fund ndërprerjeve të energjisë elektrike. Gjatë këtij viti, në përputhje me këtë premtim, KESH-i ka zbatuar me rigorozitet direktivën e qeverisë për importin e sasive maksimale të mundshme, në mënyrë që të shkëputemi nga praktika ndëshkuese e shkëputjeve të energjisë elektrik", shtoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›