Mazhoranca ngelet vetëm në Kuvend
Mazhoranca ka diskutuar e vetme projektligjin "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve", pasi opozita është larguar nga salla e Kuvendit, duke e bërë të ditur qëndrimin e saj, nëpërmjet fjalës së kryetares së grupit, Valentina Leskaj. Diskutimi i mazhorancës ka zgajtur deri në orët e vota të mbrëmjes, ku nuk ka mbetur pothuajse asnjë deputet apo ministër pa diskutuar dhe pa vlerësuar maksimalisht projektligjin. Por pavarësisht kundërshtisë së opozitës, deputetët e PD-së dhe Kryeministri Berisha, kanë theksuar në diskutimet e tyre, mazhoranca i është rikthyer lustracionit", ngaqë të majtët, gjatë qeverisjes së tyre 8-vjeçare e prishën këtë fenomen, duke rikthyer në administratë dhe duke shpallur të pafajshëm persekutorët e dikurshëm. Deputetët e PD-së theksuan se ky është një nga ligjet më të mira dhe më të plotësuara që i është paraqitur ndonjëherë Kuvendit. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kryeministri Berisha ka theksuar se ky ligj do të ndajë njëherë e mirë në mënyrë të qytetëruar vendin nga komunizmi barbar. Duke u ndalur te modeli polak, Kryeministri Berisha tha se "ky ligj i ‘kujtesës kombëtare‘ ka krijuar institucione të veçanta të pendesës, akuzës, gjykimit. Sipas tij, ky ligj, rast pas rasti ndëshkon të gjithë pjesëmarrësit e proceseve politike, qofshin ato edhe të shërbimeve inteligjente. Ai jo vetëm përjashton nga administrata në sektorin publik, por vendos në bankën e akuzës të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këto procese. Për Berishën, procesi i lustracionit në vendet e Lindjes, ka pasur qëllimin madhor, hedhjen poshtë të legjitimitetit të barbarisë komuniste dhe kjo do të realizohet edhe në vendin tonë. Për kreun e qeverisë, duhet të miratohet ky ligj, pasi u duhet dhënë fund, njohjes së pafajësisë të Aranit Çelës dhe Ramiz Alisë, të cilët u dëmshpërblyen për vitet e burgut, duke legjitimuar kështu sistemin e egër komunist. Gjithashtu, pro ligjit për pastërtinë e figurave, është shprehur edhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila e ka konsideruar atë si një hap të rëndësishëm që ka marrë pozita. Kryeparlamentarja ka theksuar se ligji është për të vënë drejtësi tek ata persona që kanë vuajtur në komunizëm, dhe jo për hakmarrje. Sipas saj, nuk është shkelje e të drejtave të njeriut fakti që ata që lanë pa shkollë, pa prindër, pa mendime njerëzit, të vihen sot në krye të gjykatave. Tek ata duhet të vërë dorë drejtësia, në mënyrë që të respektohen ata që kanë vuajtur për vite me radhë skamjen, frikën dhe lirinë. Të gjithë deputetët e mazhorancës, kanë qenë pro miratimit të ligjit për pastërtinë e figurave, duke përjashtuar nga ky qëndrim PDK-në, kryetari i së cilës, Nard Ndoka, është shprehur kundër, duke theksuar se mazhoranca me këtë ligj nuk po miraton për motive kombëtare, por politike, pasi në draftin e propozuar prej PD-së, ka shumë gjëra të cilat lënë për të dëshiruar. Gjithashtu, kundër këtij projektligji, është shprehur edhe deputeti Spartak Ngjela gjatë diskutimit të tij në Kuvend.