Ngjela: Kur shkrova kundër Sigurimit, Berisha më censuroi
Deputeti Spartak Ngjela, i vetmi ish i burgosur nga regjimi komunist që ndodhet në sallën e Parlamentit, ka mbajtur një fjalim të gjatë ku ka argumentuar se drafti i mazhorancës nuk është gjë tjetër, por veçse një synim për të përfituar benefice politike. Avokat Ngjela, i cili ka provuar në trupin e tij, tmerret e diktaturës komuniste ka kundërshtuar draftin dhe ka akuzuar mazhorancën për demagogji. Ai ka theksuar se ky ligj duhet të mbrojë dhe jo të godasë. Ne tha Ngjela, duhet të mbështesim moralitetin. "Pikërisht në ditën e sotme, pyetja që ngrihet është kjo: a e vendos moralitetin pas një kohe të gjatë shtypjeje ky ligj? Dhe a kemi pasur përpjekje për të vendosur moralitetin"? Gjatë diskutimit të tij në Kuvend, deputeti Ngjela është kthyer në vitin 1991, kur duhet të kishte nisur vendosja e moralitetit sipas tij. "Ishte vjeshta e 1991-it, kur një mëngjes u paraqit papritur Arben Imami, i cili më kërkoi të shkruaj një artikull në lidhje me Sigurimin e Shtetit dhe arsyen pse duhet penalizuar. Atëherë nuk kisha besim se partia e Arben Imamit e kishte seriozisht. Sepse e kisha provuar këtë parti duke futur lakmusin në proces", është shprehur Ngjela. Duke theksuar se jemi koshient për terrorin, por nuk është bërë kurrë një analizë e kësaj gjendjeje. Sigurimi i Shtetit, tha ai, konsiderohej si Ku Klus Klani, sepse kjo polici sekrete për asnjë çast nuk zbatoi ligjin, sepse nuk ka pasur kurrë një ligj për policinë sekrete. "Ky, ishte thelbi i artikullit tim, sepse kjo polici drejtohej nga Enver Hoxha pa asnjë strukturë ligjore. Por kryeredaktori i gazetës nuk e pranoi artikullin tim. Ja pra kjo është arsyeja pse ne ende nuk po dalim të gjejmë moralitetin. Se kërkojmë pretekste. Askush nuk po mban përgjegjësi për abuzimet me pushtetin", deklaroi Ngjela, duke shtuar se historia duhet shkruar ashtu siç është, ku Klus Klani është prezent në jetën e vendit. Duke shpjeguar pjesën e ligjit, avokat Ngjela, ngriti një pyetje të rëndësishme: Cila është ajo Gjykatë Kushtetuese që do të vendoste kundër vetes? Një pyetje që nuk ka marrë një përgjigje konkrete. Por ai i ka kujtuar mazhorancës, se nëse duhet bërë ligj për viktimat e komunizmit, të bëhet zhdëmtimi i të përndjekurve dhe të mos tallen me ligje të tilla.