E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria "hap thesin", u jep 26 milionë euro buxhetorëve

Qeveria gjen paratë për të shpërblyer 800 mijë buxhetorë për festat e fundvitit. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një rishpërndarje fondesh për ministritë dhe institucionet nga ku janë shkëputur 12 miliardë lekë për të shpërblyer nëpunësit e administratës dhe pensionistët, për të ndihmuar KESH-in për të importuar energji për festat dhe një pjesë tjetër të kësaj shume të kalojë në fondin e shpronësimeve. Ndërhyrjet në buxhetin e shtetit i kanë shkurtuar shpenzimet administratës në projekte të ndryshme të parealizuara gjatë vitit 2008. 62 milionë euro, ose 7 miliardë lekë janë kartolina për festat e fundvitit për pensionistët dhe buxhetorët. 26 milionë euro do të shkojnë në ndihmë të KESH-it dhe pjesa tjetër në fondin e shpronësimeve.

Tepricat e krijuara nga mosrealizimi në kohë i shpenzimeve buxhetore i kanë dhënë mundësi qeverisë të përgatisë aktin normativ. Ky akt parashikon t‘i japë mundësi atyre projekteve që kanë ecur më shumë sesa plani, duke mos i lënë që të presin lëvrimin e fondeve në janar 2009. Qeveria "Berisha" do ta përdorë këtë rishpërndarje fondesh për të stimuluar shpërblimet, por edhe për të ndihmuar KESH-in të sigurojë energji për festat dhe ditët në vazhdim. Në mbledhjen e djeshme u mor vendimi për t‘i akorduar pensionistëve nga pesë mijë lekë secilit, shumë simbolike, që Kryeministri e cilëson si "kartolinë për festat e fundvitit". Edhe këtë vit, ashtu si një vit më parë, qeveria kreu të njëjtën manovër për të shpërblyer administratën dhe pensionistët.

Dekreti qeveritar

Këshilli i Ministrave miratoi dje dekretin qeveritar për një rialokim fondesh prej 12 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit. Kryeministri u shpreh se këto fonde janë rezultat i një perfomance financiare më të mirë nga ç‘ishte parashikuar, të cilat burojnë nga miradministrimi i borxhit dhe interesave të borxhit, si dhe nga ruajtja e fondit të kontigjencës. Sipas Kryeministrit, nga fondi i kontigjencës kanë ngelur të paprekura 4.2 miliardë lekë, janë shkurtuar në masën 1.2 miliardë lekë shpenzimet për personelin.

Pagat dhe pensionet

Ndër të tjera, Kryeministri shpjegoi se nga fondi prej 12 miliardë lekësh, 62 milionë euro janë parashikuar për shpërblimin që do t‘u jepet pensionistëve në mbarë vendin, si dhe punonjësve të administratës. Duke filluar pas datës 20 dhjetor, pensionistët do të marrin 5 mijë lekë shpërblime për festat e fundvitit, ndërsa nëpunësit e administratës do të marrin nga 10 mijë lekë deri në një rrogë shpërblim. Duke qartësuar drejtuesit e institucioneve, Kryeministri sqaroi se aty ku fondi i pagave lejon dhënien e rrogës, paga shtesë do t‘u jepet e plotë punonjësve me rrogë të ulët dhe pjesa tjetër do të ndahet sipas përqindjes që kanë. "Nuk do të ketë shpërblim nën 10 mijë lekë dhe nuk mund të ketë shpërblim më të lartë se një rrogë. Paga siguron të gjithë ata ë kanë pagesë të vogël. Edhe kjo përbën një rritje shtesë prej 12% për rrogë ulëtit mbi rritjen që kemi bërë më 1 korrik", tha Berisha.

Fondi

Deri në fundin e muajit tetor, buxheti i shtetit kishte në dispozicion rreth 17 miliardë lekë, si rrjedhojë e mosrealizimit të shpenzimeve në kohë. Nga kjo shumë, afro 8 miliardë lekë ishin të investimeve që nuk ishin arritur të viheshin në dispozicion të projekteve të ndryshme. Po sikundër ndodh gjithnjë, institucionet shtetërore e realizojnë pjesën më të madhe të shpenzimeve në fund të vitit. Për ta shmangur këtë fenomen, qeveria vendosi afatin 31 tetor si ditën e fundit për kryerjen e procedurave të prokurimit publik. Periudha e mbetur do t‘i jepte mundësi Ministrisë së Financave që të përgatiste si duhet tepricat buxhetore në drejtim të hartimit të aktit normativ, por shtyrja e këtij afati nuk lë shumë hapësira për të krijuar një "buxhet të tretë" të bollshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›