Leskaj: Mungesë e frikshme e shtetit
Partia Socialiste reagoi publikisht për tragjedinë e ndodhur në ujërat e Butrintit. //////Vend ku një varkë me klandestinë që tentonin të kalonin ilegalisht kufirin, u përmbys duke shkaktuar dy të vdekur. Kryetarja e grupit parlamentar të selisë rozë, Valentina Leskaj, shprehu në emër të të gjithë deputetëve ngushëllimet për familjen Jaho. "Ata humbën Elvirën 22 vjeçe dhe të bijën e saj 3-muajshe Klara", konstatoi Leskaj. Më tej akuzoi shtetin, që nuk po arrin të mbrojë jetën e qytetarëve të vet. "Njerëzit e dëshpëruar nga varfëria po sakrifikojnë gjithçka", tha Leskaj. Kryetarja e grupit parlamentar të selisë rozë insistoi se kjo vdekje në grup na tregon një tjetër vrimë të zezë të korrupsionit vrastar, këtë herë në detin ku qeveria krenohet se ka ndaluar me ligj çdo mjet lundrimi. "Ndihemi të dëshpëruar për tragjedinë e radhës, që mori jetë njerëzish në këtë vend, ku plagët hapen njëra pas tjetrës, duke dëshmuar mungesën e frikshme të shtetit", vijoi Leskaj.