Leskaj: PS, zhvillim të barabartë për fshatin e qytetin
Kryetarja e Grupit Socialist, Valentina Leskaj, është takuar me banorët e fshatit Përparim në Peqin, për të prezantuar pjesë nga Program i ri qeverisës. Gjatë fjalës së saj, Leskaj është ndalur te problemet e fshatit, duke filluar varfëria, certifikatat e pronësisë, deri te shërbimet shëndetësore. Kryetarja e Grupit Socialist, ka kërkuar një bashkim të gjithë banorëve, për të ndëshkuar më 28 Qershor me votë këtë qeveri të korruptuar: Shqipëria nuk mund të zhvillohet me dy pjesë. Vendi nuk mund të jetë i ndarë me një pjesë të zhvilluar që është qyteti dhe me një pjesë të pazhvilluar që është fshati.
Një vend i BE, nuk mund të jetë i ndarë përgjysmë, nuk mund të jetë ndryshe në qytet dhe ndryshe në fshat, ka theksuar Leskaj, duke shtuar se PS merr përsipër ta shuaj këtë ndryshim, merr përsipër të zhvilloj fshatin, përveçse do të vazhdoj me ritme të larta për qytetin.Duke iu drejtuar banorëve të fshatit Përparim, ajo ka theksuar se ata janë më të varfër se 4 vjet më parë. Nisur nga kjo gjendje, sipas saj, duhet ndryshuar kjo qeveri, në mënyrë që gjendja të përmirësohet dhe gjithsecili të ndiej pranë ndihmën e mjekut në qendrat shëndetësore, prodhimet bujqësore të gjejnë tregun e përshtatshëm, por gjithashtu, secili banor ta ndiejë veten zot në tokën e tij. Duke parashtruar pjesë të programit të ri qeverisës, Leskaj ka bërë krahasime të përfitimeve të fermerëve shqiptarë me fermerët në rajon, ku fermeri shqiptar sipas saj përfiton 6 herë më pak subvencion se sa fermeri në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Gjatë fjalës së saj, ndër të tjera kryetarja e grupit parlamentar të PS, ka veçuar faktin se njerëzit në këtë periudhë janë më të varfër se 4 vjet më parë dhe ajo që PS duhet të bëjë sipas saj është çrrënjosja nga ky vend i varfërisë. Beteja jonë e parë emergjente e PS, është çrrënjosja e varfërisë nga ky vend. Pra, ne do të investojmë në shërbimin shëndetësor në fshat, për ngritjen e infrastrukturës, që ambulancat të mos jenë si ndërtesa, por të jenë të pajisura. Ne do të investojmë që të ketë aty personelin e nevojshëm, nënvizoi kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste gjatë prezantimit të programit të ri qeverisës në Përparim, të Peqinit.