Leskaj: Prokuroria, për 10 vjet ka hetuar vetëm 10 përqind të dosjeve tona

Bujar Leskaj, kreu i KLSH, ka ripërsëritur dje akuzat ndaj organit të akuzës, duke kujtuar se “Prokuroria po fle mbi dosjet e dorëzuara nga KLSH” dhe se gjatë viteve të fundit ka marrë në konsideratë vetëm 10 përqind të kallëzimeve të institucionit që ai drejton
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj deklaroi dje se KLSH-ja do të rivitalizojë bashkëpunimin me prokurorinë. Drejtuesit e KLSH-së dhe Autoritetit të Konkurrencës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për rregullimin e tregut, ndërsa duke iu përgjigjur interesit të mediave pas nënshkrimit të marrëveshjes, Leskaj e ka cilësuar si “të fjetur” marrëdhënien mes institucionit që ai drejton dhe prokurorisë.
“KLSH-ja do të rivitalizojmë bashkëpunimin me prokurorinë. Nga kallëzimet tona prokuroria ka çmuar vetëm 10 për qind dhe kjo mund të jetë edhe si pasojë e një pune të dobët të KLSH-së por flet edhe për një nënvlerësim të prokurorisë në harkun kohor të këtyre viteve. Këtë problem do t’a ngremë edhe me anë të një momerandumi, ndërsa synimi ynë është të ndërtojmë një raport të ri me prokurorinë, duke respektuar edhe detyrimet që kemi ndaj njëri-tjetrit”, u shpreh Leksaj.
Gjithashtu kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj vlerësoi bashkëpunimin me Autoritetin e Konkurrencës duke theksuar se qëllimi i përbashkët është rregullimi i tregut, puna kundër deformimeve të tij, bashkëpunimi për mirë-administrimin e fondeve publike dhe lufta për parandalimin e korrupsionit.
Nga ana e saj, Drejtoresha e Autoritetit të Konkurrencës Lindita Lati theksoi se kjo do të shërbejë si një avokatësi për luftën e marrëveshjeve të ndaluara dhe për eficencën në përdorimin e fondeve publike.
“Nuk synojmë thjeshtë adresim informacioni, por trajnime të përbashkëta për të mundësuar përvetësimin e metodologjisë për identifikimin e marrëveshjeve në procedurat e prokurimeve publike”, tha Lati.
Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj bëri të ditur javën që shkoi gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të raportit vjetor të këtij institucioni, se marrëdhëniet me Prokurorinë janë të zbehta.