E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rouçek: Bashkëpunimi në parlament po sjell realizimin e kritereve të integrimit

24-03-2012 / Gazeta 55

Komisioni Evropian ka vendosur intensifikimin e dialogut me autoritetet shqiptare, për lehtësimin e punës në plotësimin e 12 rekomandimeve të statusit kandidat

Eurodeputeti, Libor Rouçek në një intervistë për mediat shqiptare në Bruksel, u shpreh se Shqipëria po plotëson hap pas hapi 12 rekomandimet, që do ta çojnë drejt anëtarësimit në BE. Sipas tij, është e rëndësishme të ruhet ritmi i reformave dhe të garantohet që rekomandimet e KE-së do të zbatohen. Sipas tij, reforma zgjedhore, krahas kushteve të tjera, duhet të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që edhe Komisioni Evropian të rekomandojë statusin e vendit kandidat në tetor të këtij viti

Komisioni Europian ka vendosur që të intensifikojë dialogun me Shqipërinë, duke qenë se dialogu midis mazhorancë dhe opozitës po jep fryte. Çmendim keni ju?
Është një gjë shumë pozitive, që tashmë dialogu funksionon, që të dyja forcat më të mëdha politike punojnë së bashku mbi çështjet që kanë të bëjnë me integrimin europian të Shqipërisë. Kjo është diçka vërtet shumë pozitive dhe unë mbështes qëndrimin e Komisionit Europian për ta lehtësuar këtë dialog. Është në sajë të këtij dialogu të brendshëm që ne kemi parë progres në disa fusha, siç ishte çështja e avokatit të popullit, aprovimi i kodit penal apo kodeve të tjera dhe shumë shembuj të tjera. Kjo është rruga që duhet ndjekur.

Por Komisioni ka vendosur që të ndjekë të njëjtin dialog me Shqipërisë si me atë për Malin e Zi për marrjen  e statusit të kandidatit. A do të thotë kjo edhe për Parlamentin, që ka vend për optimizëm për zbatimin e 12 rekomandimeve?
12 rekomandimet janë në tryezë, ato po plotësohen hap pas hapi. Duhet ruajtur ritmi i reformave dhe forcat politike në Shqipëri duhet të sigurojnë që rekomandimet do të zbatohen. Ajo që është thelbësore për mua në javët e ardhshme dhe muajt e ardhshëm është  përfundimi i punës për reformën zgjedhore, duke përfshirë rekomandimet e OSBE/ODHIR, Komisionit të Venecias, në mënyrë që të evitojmë situata si ajo e zgjedhjeve të shkuara, ku të dy palët nuk ishin dakord për procedurat dhe si rrjedhim nuk ishin dakord për rezultatin. Është shumë e rëndësishme që palët të përqendrohen te kjo reformë, në mënyrë që ajo të përfundohet brenda disa javësh, pasi vitin tjetër ju keni zgjedhje të përgjithshme. Këtë vit, ndodh edhe zgjedhja e presidentit, por ai zgjidhet nga parlamenti dhe jo nga qytetarët.

Për Komisioni Evropian, 12 rekomandimet më të rëndësishme, por 2 konsiderohen më të rëndësishme se të tjera, reforma elektorale dhe dialogu midis dy palëve. Jeni dakord me këtë?
Jam dakord, pasi ju më parë përmendët Malin e Zi. Kjo ishte ajo që ndodhi me Malin e Zi. Partitë politike ishin të bashkuara për të arritur për qëllimin e tyre Evropian. Ne po shohim shenjë pozitive dhe në Shqipëri. Partia demokratike është duke punuar me partinë socialiste. Për partinë socialiste që është në opozitë është shenjë  shumë e mirë përgjegjësie për të punuar së bashku për realizimin e këtij qëllimi. Shpresoj që ky dialog  të vazhdojë që të sjellë rezultate pozitive edhe për reformën elektorale.
Rezoluta për Shqipërinë do hartohet në maj apo jo?
Në këtë rast është e rëndësishme se sa aktiv është raportuesi, pra nevojitet puna aktive e raportuesit. Unë kam qenë në të shkuarën raportuesi për Shqipërinë, por nuk jam më. Tani kemi një të ri, që nuk është në grupin tim politik. Ne duhet ta inkurajojmë pak raportuesin që të punojë më shumë mbi Shqipërinë, që të familjarizohet me të gjitha ndryshimet pozitive që kanë ndodhur dhe t’i përfshijë në raport.

A jeni optimist se Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit në tetor?
Kjo sigurisht nuk varet nga Parlamenti, por nga Komisioni Europian. Ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria të ruajë ritmin e reformave dhe që dialogu dhe bashkëpunimi midis forcave politike të vazhdojë. Nëse kjo do të  vazhdojë të funksionojë, atëherë rezultati do të reflektohet në  raportin e Komisionit Europian. Asnjë nuk do ta përjashtojë Shqipërinë. Ne kemi zhvillime pozitive në Mal të Zi, në Serbi, Maqedoni dhe së fundmi dhe në Bosnjë. Ndaj shpresojmë që do të vijnë shenja pozitive edhe nga  Shqipëria.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›