E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e imunitetit, jo ligj të ri apo vetëdeklarim, por ndërhyrje në Kushtetutë

24-03-2012 / Gazeta 55

Flet ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj

Deputeti i Partisë Demokratike, anëtar i komisionit parlamentar të ligjeve, Enkelejd Alibeaj u shpreh dje se heqja e imunitetit me Kushtetutë dhe jo me ligj apo vetë-deklarim do të ishte zgjidhja më efektive. Deputeti demokrat megjithatë shprehet se ç’imunizimi nuk do të bëjë mrekulli, por i jep një kartë të fortë Prokurorisë të luftojë korrupsionin dhe në nivelet më të larta politike. “Një rregullim uniform mund të bëhet dhe duhet bërë në këtë rast, t’i biem si të thuash problemit drejtpërdrejt, me ndryshimin kushtetues. Absolutisht mund t’u them se kjo nuk është e vetmja që do të bëjë mrekullinë, porse është një nga mjetet më të sigurta, më efektive që ti krijojë komoditetin e duhur sistemit të prokurorisë për të hetuar në çdo rang të administrimit të punëve publike të një vendi”, tha Enkeled Alibeaj.
Prej disa vitesh, deputetet e djathtë kanë firmosur deklaratën me të cilën heqin dorë vullnetarisht nga imuniteti. Partia Socialiste dhe juristët shprehen se nuk ka asnjë vlerë ligjore, por për ish ministrin e drejtësisë nuk është kështu.
“Ka shumë vlerë ligjore, sepse imuniteti tek e fundit është një e drejtë personale që një deputet ka. Është një koracë ligjore që ai ka. Nuk dua ta kem dhe e heq. Kjo vlen vetëm për ata që  e heqin, sepse tjetra që nuk e heqin, çuditërisht pjesa e opozitës që nuk do ta heqë. Ajo është një pjesë që nuk mund të hetohet, sepse ende e ka imunitetin”, tha ai.
Ndërmarrja e nismave ligjore për të hequr mburojën politike, artikulohet prej vitesh në politikën e Tiranës, pa mundur të konkretizohet kurrë.
Sipas juristit Çlirim Gjata, imuniteti duhet hequr me ligj, ndërsa mazhoranca është shprehur e hapur të pranojë çdo variant të ofruar nga opozita.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›