Brukseli: Me miratimin e Planit të Veprimit, Shqipëria, më pranë statusit kandidat

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle reagoi dje përmes internetit, lidhur me Planin e Veprimit të partive shqiptare, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt plotësimit të 12 rekomandimeve dhe marrjes së statusit kandidat
Menjëherë pas miratimit të plan veprimit nga qeveria shqiptare, komisioneri për zgjerimin në bashkimin Europian Stefan Fyle shprehu entuziazëm për këtë hap të hedhur nga Shqipëria, kësaj herë një bashkëpunim i ngushtë i qeverisë shqiptare dhe opozitës për zbatimin e 12 kritereve të Bashkimit europian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Stefan fyle reagoi përmes rrjetit social Twitter, duke i shprehur autoriteteve shqiptare përgëzimet për miratimin e Planit të Veprimit, një përpjekje e përbashkët, siç shprehet ai e qeverisë dhe opozitës.
Reagimi i komisionerit për zgjerimin vjen pasi në Tiranë u mbajt me një frymë, të theksuar pozitive Komiteti i Stabilizim Asociimit, ku kriteri politik në të cilin deri vonë kishim mbetur në klasë, tashmë u përcoll me tone vlerësuese dhe optimiste si nga pala shqiptare ashtu dhe nga ajo europiane.
Drejtori për zgjerimin Stefano Sanino zhvilloi gjithashtu takime me krerët e shtetit dhe politikës, duke përgëzuar hapat pozitiv që nga marrëveshja e 14 nëntorit 2011, si dhe duke apeluar për të ruajtur konsensusin për përmbushjen e reformave brenda pranverës. Përveç reformave në proces, një debat është rihapur nga mazhoranca për heqjen e imunitetit të zyrtarëve, teksa ka shprehur gatishmërinë edhe për ta ndryshuar kushtetutën, siç opozita ka kërkuar kohë më parë. Dhe ndërsa aktualisht socialistët ende nuk janë dakord, vetë Sanino u shpreh se heqja e imunitetit të zyrtarëve është shtyllë kryesore në luftën antikorrupsion, që është dhe kriteri i 8-të në listën prej 12 kriteresh që vendi duhet të përmbushë në mënyrë që këtë vit, të marrë statusin e kandidatit për anëtar në BE.