Leskaj: Qeveria ka dështuar në të gjitha fushat
Partia Socialiste ka reaguar sot për punën e qeverisë në 7 muajt e parë të këtij viti. Kryetarja e Grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj e ka quajtur dështim total punën e qeverisë gjatë kësaj kohe. Vetëm dy ditë më parë kryeministri shqiptar, Sali Berisha doli në një konferencë për shtyp ku cilësoi arritje në të gjitha fushat kryesore. Por PS nuk mendon se ka pasur asnjë arritje. “Qeveria ka dështuar në të gjitha zërat; si në luftën kundër korrupsionit ashtu edhe në ndërtimin e rrugëve e ekonomi” – tha Leskaj. Sipas saj raportet e bëra nga ndërkombëtarët tregojnë mësë miri dështimet e qeverisë. “Sipas institucioneve të huaja rezultojnë vetëm 2 mijë të punësuar gjatë 7 muajve të parë të vitit, ndërkohë që Berisha raportoi hapjen e 13 mijë bizneseve të reja. Kjo do të thotë se 11 mijë biznese të jenë pa asnjë punonjës, madje as pa pronar”- vazhdoi ajo. Sipas selisë rozë vendi po shkon drejt shkatërrimit pasi përveç këtyre shifrave, alarmante janë edhe shifrat e inflacionit, shëndetësisë, arsimit, korrupsionit etj. “Pensioni real është sot 4.9% më i ulët se në vitin 2005, për shkak se çmimet janë rritur në maksimum. Shqiptarët sot paguajnë më shumë për energji, arsim, ushqim, shërbime etj”- përfundoi Leskaj.