E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Të nisë puna për reformën në drejtësi

Pas ndryshimeve të bëra në Kushtetutë dhe përcaktimit të sistemit zgjedhore, PS-ja ka kërkuar që tashmë Kuvendi të nisë punën për përfundimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Pak muaj më parë, mazhoranca dhe opozita pas diskutimeve të gjatë në Komisionin e Ligjeve arritën të miratojnë disa ndryshime vetëm në ligjin për organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor. Për të mos humbur më kohë, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, gjatë një konference për shtyp, pasi ka vlerësuar deklaratën e ambasadorit Helmut Lohan, ka theksuar se "PS-ja e ka vlerësuar çështjen e reformës në drejtësi si një nga reformat themelore për shkak të peshës që ka në vendosjen e shtetit ligjor, si një proces që kushtëzon të sotmen e të nesërmen e gjithkujt nga ne". Sipas Leskajt, krijimi i një marrëdhënieje të re mes politikës dhe drejtësisë, synon mbylljen përfundimtare të një raporti të vështirë mes tyre, të një raporti të ngritur shpesh mes klientelizmit dhe shërbesës së ndërsjellë jashtë parimeve dhe vlerave që sistemi i drejtësisë duhet të bartë.

Më tej, gjatë deklaratës së saj, Leskaj ka theksuar se PS-ja beson se vendi ka nevojë më shumë se kurrë për bërjen e kësaj reforme edhe për shkak se shteti ligjor, është një parakusht themelor për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO. Duke hedhur poshtë të gjitha aludimet e bëra deri më tani se opozita është pengesë për realizimin e kësaj reforme, Leskaj është shprehur se "PS-ja muaj më parë, ka vënë në dispozicion të Parlamentit dhe natyrisht të gjithë aktorëve të tjerë të interesuar, dokumentin e Paktit për Reformën në Drejtësi". E kemi bërë këtë, ka vijuar ajo më tej, duke qenë të hapur dhe ftues që ky pakt t‘i nënshtrohet një diskutimi sa më të gjerë publik. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së theksoi më tej se "ne jemi për një proces tërësisht të hapur e sa më përfshirës që do të na garantonte një reformë cilësore dhe të qëndrueshme nga mungesa e të cilave vendi ka vuajtur". Duke qenë se kjo është një reformë integrale e shumë komplekse që kërkon punë e përfshirje të gjerë, ne tha Leskaj, gjykojmë se nuk ka kohë për të humbur ndaj nxisim nën Komisionin Parlamentar për Reformën në Drejtësi, i ngritur me vendim të Kuvendit, me propozim të PS-së, të fillojë sa më parë nga puna.

Sipas saj, ky, është një pakt për qytetarin, është një kontribut dhe një detyrim për qytetarin, ndaj PS-ja thekson ajo, mbetet e hapur dhe e angazhuar ashtu siç ka bërë deri më tani për të dhënë kontributin e tyre në finalizimin e kësaj reforme, që në fakt vetëm ka nisur me ligjin për pushtetin gjyqësor. Në fund të vitit të shkuar në Komisionin e Ligjeve nisi një diskutim i gjatë dhe intensiv për realizmin e reformës në sistemin e drejtësisë. Por Kuvendi arriti të miratojë vetëm disa ndryshime në ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor, duke e lënë të hapur pjesën tjetër të debatit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›