Patozi: Imunitetet, ligji kryesor i reformës në drejtësi
Reforma në drejtësi, pritet të rinisë së shpejti debatin e ri brenda kampit politik. Sipas propozimit të demokratëve, ndryshimi i parë ligjor do të jetë kufizimi i imuniteteve, i cili do të jetë pjesë e kësaj pakete. PD i është përgjigjur direkt këmbënguljes së kampit rozë, i cili shprehet se nuk ka kohë për të humbur me këtë reformë. Kreu i grupit kuvendor të PD-së, Astrit Patozi, ka ritheksuar dje se miraton kërkesën e opozitës duke kërkuar të nisë punën nënkomisioni i reformës zgjedhore që ditën e hënë. Çështja e imunitetit do të jetë brenda paketës për drejtësinë. Patozi e cilëson këtë pakt mes dy forcave të mëdha politike si një test për heqjen e ligjit më të debatuar kohët e fundit, imunitetin e VIP-ave të politikës, por edhe të institucioneve të larta shtetërore. "Ky është një test që do të konfirmojë qëndrimin e PS-së për heqjen e imunitetit", thotë Patozi. Sipas tij, ndryshimi i parë ligjor do të jetë kufizimi i imuniteteve. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, rikonfirmoi se PD ka qenë, është dhe do të mbetet e vendosur për t‘i shkuar deri në fund të gjitha reformave të mëdha, për të cilat ka nevojë vendi, ku veçanërisht vend të rëndësishëm zë reforma në drejtësi. Gjatë një komunikimi për shtyp, Patozi shprehu gatishmërinë e PD-së për të nisur nga puna menjëherë, me nënkomisionin e reformës në drejtësi, sepse nuk kemi menduar për asnjë çast që reforma në drejtësi është vetëm miratimi i një ligji sado i rëndësishëm qoftë ky". "Jemi të gatshëm për të gjitha temat e mëdha dhe do të ishte ndoshta dhe në nderin e opozitës që këtë paketë ne ta nisim pikërisht me kufizimin e imunitetit, por dhe me tema të tjera, jemi të hapur për të gjitha temat, në rast se opozita e ka seriozisht çështjen e kufizimit të imunitetit", theksoi Patozi. Ai shtoi se "reforma në drejtësi nuk mund të konsiderohet për asnjë çast si një proces i ndërprerë, apo si proces i lënë në mes, por mund të konsiderohet thjesht dhe vetëm si i spostuar pak, për shkak të axhendës së ngjeshur parlamentare të kohëve të fundit". "Ne kemi shfrytëzuar këtë kohë për t‘u përgatitur më mirë dhe shpresoj që këtë gjë ta ketë bërë dhe opozita me specialistët e saj për të gjitha temat e rëndësishme që përfshihet në paktin për drejtësi", theksoi Patozi. Në këtë pikë vazhdon të thellohet bashkëpunimi PD-PS për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Partia Demokratike ua beson socialistëve çështjen e heqjes së imunitetit të deputetëve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha se nisma ligjore e kufizimit të imunitetit do të kalojë në Parlament si pjesë e Paktit Kombëtar për Drejtësinë të propozuar nga Partia Socialiste. Në kampin rozë konfirmohet gjithashtu se brenda një kohe të shkurtër të gjithë do të jenë pa imunitet.