Lufta ndaj krimit, Nishani: Bashkë me ne, edhe Franca
Ministri i Brendshëm firmos një marrëveshje bashkëpunimi me Francën për luftën ndaj krimit. Nishani e ka realizuar këtë marrëveshje gjatë një vizitë zyrtare në Francë, ku pati një takim me ministren e Brendshme të Francës, Michele Alliot Marie, me të cilën firmosën Marrëveshjen Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Franceze në lidhje me bashkëpunimin në fushën e sigurisë së brendshme. Kjo marrëveshje parashikon bashkëpunim dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve të paligjshme të drogës, luftës kundër terrorizmit, kundër krimeve ekonomike-financiare, kryesisht të pastrimit të parave, kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe kundër emigracionit klandestin. Në të njëjtën kohë, në këtë marrëveshje të firmosur nga të dy ministrat theksohet edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë së mjeteve të transportit ajror, detar dhe tokësor, lufta kundër vjedhjeve dhe trafikut të paligjshëm të armëve. Njëkohësisht, kjo marrëveshje shumë e rëndësishme parashikon edhe trajnime të personelit dhe kryesisht në fushën e policisë shkencore dhe të llojeve të reja të krimeve, për të cilat policia shqiptare do të asistohet nga ekspertë të policisë franceze. Në këtë takim, ministrja franceze, Michele Alliot Marie, theksoi gatishmërinë e Francës për të ndihmuar dhe asistuar Shqipërinë në angazhimet e saj në luftën kundër çdo lloj forme të krimit. "Të gjitha rreziqet janë ndërkombëtare, theksoi Alliot Marie, ndaj dhe bashkëpunimi ndërkombëtar do t‘u bënte ballë të gjitha shkeljeve të ligjit. Duhet një forcim i mëtejshëm i shkëmbimeve të informacionit dhe eksperiencave, pasi kriminaliteti është në lëvizje dhe perfeksionohet çdo ditë. Kjo marrëveshje është e para që Franca nënshkruan me një vend ballkanik dhe ministrja e Brendshme franceze deklaroi për mediat se Shqipëria ka bërë shumë punë për integrimin e standardeve evropiane. Ndërsa Nishani deklaroi se kjo marrëveshje është një inkurajim i madh për Shqipërinë në angazhimet e saj për të luftuar krimin, si dhe është një kontribut i madh për të gjithë rajonin e Ballkanit.