E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër; Zjarr në nënstacionin e Rrencës, shpëtojnë nga dëmtimi 2 transformatorë

Një zjarr që ka rënë dje rreth orës 09:00 në fshatin Rrencë ka përfshirë nënstacionin elektrik që ndodhet në këtë zonë. Burime zyrtare nga sektori i zjarrfikësve të qytetit, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, bënë të ditur se efektivat e tyre kanë ndërhyrë menjëherë duke shuar zjarrin, që të mos përhapej edhe më tej në godinën e ish-uzinës së Rrencës, si dhe të banesave të fshatarëve që gjendeshin pranë nënstacionit. Sipas shefit të zjarrfikësve të Shkodrës, efektivat që ai drejton kanë bërë të mundur shpëtimin nga dëmtimi të dy transformatorëve të mëdhenj që furnizojnë komunën e Gurit të Zi dhe një pjesë të qytetit. Ndërkohë, nga dëmet e konstatuara janë dy fidra, dalja e të cilave jashtë funksionit ka krijuar për rreth 30 minuta çrregullime në furnizimin e qytetit me energji elektrike, ndërkohë që me ndërhyrjen e specialistëve të KESH-it, situata është normalizuar. Në vendngjarje kanë shkuar edhe forcat e policisë së Shkodrës dhe grupi hetimor, të cilët kanë bërë ekspertizën e nevojshme për të zbuluar shkakun e rënies së këtij zjarri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›