Itali; I burgosuri shqiptar hyn në grevë urie, kërkon kushte të mira në qeli
Një i burgosur shqiptar ka hyrë në grevë urie, sepse kërkon një qeli më të përshtatshme dhe kujdes mjekësor për një problem që ka në gju që nuk e lejon të ecë. Që prej së hënës, ai ka refuzuar çdo lloj ushqimi. Shqiptari, Tom Fufi, një 33-vjeçar, ndodhet i mbyllur në një prej qelive të burgut në Bad'e Carros. Kjo është mënyra e tij për të protestuar kundër kushteve të këqija të burgut dhe moskujdesjes, shkruan media italiane. Që prej një viti ai ka kërkuar të shtrohet në një qendër terapeutike, për të diagnostikuar problemin e tij. Ngjarja është denoncuar nga këshilltarja rajonale socialiste, Maria Grazia Caligaris (PS), komponentë e Komisionit për të “Drejtat Civile”, duke shprehur shqetësim dhe për rastet e shumta të të burgosurve që mbahen në burg dhe nuk kanë shërbim mjekësor. “Rasti i të burgosurit Tom Fufi, - nënvizoi Caligaris, - është një ndër të shumtit, që denoncon problemet sanitare, në mënyrë të veçantë në burgun Bad'e Carros”. I riu i ishte drejtuar drejtuesve sanitarë, dhe pas disa muajve ka mundur të marrë vetëm një analizë për të kuptuar se çfarë kishte.