Leskovik, zbardhet vjedhja e parave të elektrikut
KOLONJË- Policia e Leskovikut ka zbardhur skemën e “zhdukjes” së parave të arkëtuara nga faturat e energjisë elektrike në këtë zonë. Pas disa ditë hetimesh, policia lokale ka vënë gishtin tek shoferi i furgonit, i cili po bënte transportimin e dy milionë lekëve nga Leskoviku për në qytetin e Ersekës. Ai është mbajtur tre ditë në dhomat e paraburgimit e më pas është lënë i lirë por procedimi penal për mashtrim vazhdon ende. Kjo ka ndodhur pasi arkëtarja Dezdemona Nace ka paguar vetë shumën e parave që janë zhdukur nga arka
Burimet e policisë lokale shpjeguan dje se gjithçka ka nisur pak ditë më parë në qytezën e Leskovikut. Arkëtarja Dezdemona Nace ka mbledhur paratë e faturave elektrike dhe kishte për detyrë që t’i dërgonte ato në filialin e Ersekës. Arkëtarja nuk ka shkuar vetë me makinë për të dërguar paratë por ka gjetur si zgjidhje t’i dërgonte me një prej shoferëve të linjës së furgonëve. Ajo ka nisur paratë me shoferin Ali Kardhiqi dhe ka qëndruar në pritje të konfirmimit nga zyra se paratë mbërritën. Por Kardhiqi pasi ka marrë shumën e lartpërmendur edhe pse ka mbërritur në Ersekë nuk i ka çuar të hollat në destinacionin e duhur. Ai ka qëndruar disa orë në qytet e më pas ka shkuar në polici ku ka deklaruar se paratë i kishin humbur gjatë rrugës. Ky version nuk është besuar nga ana e hetuesve, të cilët pasi kanë kryer verifikimet e para kanë zbuluar se gjatë rrugës nuk kishte ndodhur asnjë grabitje. Shoferi insistonte në idenë e tij se paratë i kishin humbur por policia e ka arrestuar. Ndërkohë në polici është shoqëruar edhe arkëtarja. Ajo ka treguar të gjithë ngjarjen dhe ka shpjeguar mënyrën se si kishte nisur paratë me Ali Kardhiqin. Burimet e policisë pohuan se arkëtarja akuzohet për shpërdorim detyre pasi ajo duhet t’i shpinte vetë paratë në Ersekë dhe t’i dorëzonte në zyrat e Ndërmarrjes Elektrike. “Naçe është marrë në pyetje dhe më pas është lënë e lirë. Ajo ka marrë përsipër të paguajë dëmin e krijuar”,- thanë hetuesit. Dhe arkëtarja ka paguar paratë duke shpëtuar kështu nga burgimi edhe vetë shoferin mashtrues.