Shkodër, policia asgjëson 916 rrënjë kanabis
SHKODËR- Komuna e Temalit në rrethin e Shkodrës ka qenë objektivi i radhës i forcave të antidrogës të drejtorisë së policisë së Shkodrës, të cilat kanë mundur të identifikojnë dhe asgjësojnë 916 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa të mbjellë në fshatrat e kësaj komune. Në vendin e quajtur sipër digës së hidrocentralit të Komanit, komuna Temal, është identifikuar një parcelë e mbjellë me 680 rrënjë kanabis sativa. Në fshatin Qerret i Sipërm, të po kësaj komune, është identifikuar një tjetër parcelë e mbjellë me 156 rrënjë kanabis sativa. Ndërsa në vendin e quajtur Moshel, në fshatin Vilë po të komunës Temal, është identifikuar një parcelë ku ishin mbjellë 80 rrënjë kanabis sativa. E gjithë bima narkotike është asgjësuar nga policia me anë të djegies. Si dhe herë të tjera, ende nuk ka persona të vënë para ligjit me akuzën e kultivimit të bimës narkotike pasi ajo gjendet e mbjellë në zona të shpyllëzuara e pa pronar. Komuna e Temalit , prej vitesh njihet si zonë në të cilën mbillen bimë narkotike.