Letër e hapur drejtuar zotit Artan Minarolli
I dashur koleg.
Prej faqes zyrtare të Këshillit të Ministrave mësuam se z. Kryeministër ka firmosur emrin tuaj si kryetari i ri në krye të Qendrës Kombëtare Kinematografike, në vend të z. Xhevdet Ferit. Kemi mësuar se ju ishit një nga dy kandidaturat (bashkë me Bujar Kapexhiun) që Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferi i paraqiti Kryeministrit. Në të dyja rastet, kandidatët duhej të paraqisnin para ministrit platformat e tyre për mënyrën se si do ta drejtonin QKK-në. Me sa jemi në dijeni, ju nuk keni hartuar asnjë platformë për mënyrën se si do ta drejtonit QKK-në. Megjithatë, Kryeministri vendosi t’ju emërojë ju në krye të QKK-së. Deri dje ishit drejtor i “Albafilm”-it, Arkivit Shtetëror të Filmit dhe njëkohësisht regjisor, skenarist dhe producent. Tani mund të themi se qarku quhet i mbyllur dhe kineastët më kot ngritën zërin, duke e akuzuar ish- drejtorin e QKK-së, zotin Feri, për një politikë të mbrapshtë.
Statusi i moralitetit të artistit nuk është në përputhje me lakminë për një karrige, qoftë kjo edhe në një post me rëndësi, siç është ai i kryetarit të QKK-së. Pranimi i tij nga ana e juaj do të thotë se indirekt zoti Feri ka bërë një pakt me ju, për të mbyllur gropën e zezë, që ka hapur në këto katër vjet. Xhevdet Feri i propozoi ministrit të Kulturës emrin tuaj se e para, ju ka mik, e dyta, jeni në një shoqatë dhe së fundi, jeni i vetmi njeri që mund t’i mbuloni shkeljet ligjore që Feri ka bërë në QKK. Kush tjetër më mirë se ju mund t’ia mbulojë konfliktin e interesit zotit Feri?
Zoti Artan! Duke qenë drejtor i një institucioni shtetëror si ai i Arkivit të Filmit, mbani mbi supe një mal me shkelje ligjore. Si nëpunës shtetëror nuk keni të drejtë të shpërbleheni disa herë nga i njëjti burim, pra nga shteti. Në rastin tuaj do ju përfshinte neni i kodit penal për shfrytëzim posti dhe konflikt interesi. Një administrator shtetëror nuk mund të paguhet veçse njëherë nga shteti. Financimet që ju ka bërë QKK kanë qenë paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Zoti Minarolli, ju gjithashtu jeni edhe anëtar i disa bordeve, si ai i Televizionit Publik dhe i Teatrit Kombëtar.
Anasjelltas, drejtori aktual i Teatrit Kombëtar është anëtar i bordit në QKK.
Zoti Feri, tanimë ish-kryetar në QKK, vendoste shumat e financimeve që u janë bërë edhe projekteve private që keni paraqitur për miratim në KMP.
Si shpërblim, duke qenë regjisor, skenarist dhe producent i jepni rol në filmin tuaj të fundit “Gjallë”, zotit Xhevdet. Përsëri një tjetër konflikt interesi. Po t’i thërrisni memories do të kujtohet rasti i ish- drejtorit të “Albafilm”-it, Ibrahim Muçaj që dha dorëheqjen si drejtor pasi i biri kish fituar një projekt në QKK.
Gjithashtu ju kujtohet që edhe Besnik Bisha bëri të njëjtën gjë kur qe kryetar pas zotit Ibrahim?
Gruaja e zotit Feri ka qenë drejtore e projekteve në Televizionin Publik dhe meqë burri i saj financoi regjisorin serb Paskaleviç, ky e aktivizon me rol në filmin e tij “Muajt e Mjaltit”.
Vihet re se punohet me rrethe të mbyllura dhe se klani i shoqatës, ku bëni pjesë prej kohe, punon me të vetmin qëllim, të thithë sa më shumë fonde publike në shërbim të filmave që keni realizuar kohët e fundit. Vulën e shumës që duhet të marrë ky, apo ai projekt, e vendoste personalisht Feri, çka përbënte shkelje ligjore. Konkretisht kemi të bëjmë me një strategji tipike klanore.
Do të ishte në interesin e qeverisë së Kryeministrit Berisha që t’i shkulte “dhëmbët e rrënjët” kësaj klike që shpërdoron me një konflikt të pastër interesi fondet e kinematografisë.
I dashur Artan, nëse do ta pranoni këtë post, bordin do ta ngrini vetëm me shoqatën e Ferit, ku bëni pjesë. Ne, përfaqësuesit e shoqatave “Lumiere”, të Dokumentarit, Vizatimorit dhe Filmit Artistik, kemi vendosur të mos paraqesim asnjë kandidaturë për Këshillin e Miratimit të Projekteve.
Si komunitet kineastësh me moral dhe përvojë, ju bëjmë thirrje zoti Artan Minarolli të mos josheni nga posti i një kryetari në QKK dhe ta refuzoni kategorisht postin që po ju ofrohet. Jeni ende i ri për ta mbyllur karrierën artistike.
Do uronim që si regjisor dhe skenarist të mbeteni artist dhe koleg i dashur për komunitetin e kineastëve.
Komuniteti i kineastëve.
12.12.2009