Qeveria i kërkon Bashkisë të kompensojë dy pronarë trojesh
Qeveria detyron bashkinë e Tiranë të shpronësojë me fondet e saja dy pronarë të kryeqytetit pasi trojet e tyre do të përdoren për interes publik. Në vendimet e dy ditëve më parë të Qeverisë i kërkohet Bashkisë së Tiranës për të shpronësuar dy pronarë në vlerën e 6.332.640 lekë. Shpronësimi parë lidhet për sipërfaqen 44 m², tokë truall, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 2 052 336 lekë. Kjo pronë private preket nga rikonstruksioni i rrugës nga Kopshti Zoologjik në takim me rrugën “Sami Frashëri”, në bashkinë e Tiranës. “Vlera e shpronësimit të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Tiranës, planifikuar në buxhetin e vitit 2009”, thuhet në vendimin e qeverisë. Gjithashtu është përcaktuar se afati i përfundimit të procedurës së shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Afati i përfundimit të punimeve për këtë objekt të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga bashkia e Tiranës për realizimin e këtij projekti. Ndërsa shpronësimi i dytë lidhet me truallin që ndodhet në sheshin Shtraus në Tiranë, i quajtur si zona e Xhamllikut. Ky shpronësim realizohet për shkak të rikonstruksionit të sheshit “Shtraus”. Pronari që do të kompensohet financiarisht në vlerën 4 280 304 lekëve. Sipërfaqja që shpronësohet është 168 metër katrorë. “Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet po nga bashkia e Tiranës. Afati i përfundimit të procedurës së shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Afati i përfundimit të punimeve për këtë objekt të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga bashkia e Tiranës, për realizimin e këtij projekti”, thuhet në vendimin e KM-së. Regjistrimi i ri i pasurisë, 168 m², truall, shpronësuar në favor të bashkisë së Tiranës, të bëhet brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.