E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, konfirmohen 4 viktima

 

zirina llambro

Shkon në katër numri i  viktimave nga gripi i derrit. Dje në mbrëmje është  konfirmuar edhe një tjetër rast me AH1N1 i cili ka humbur jetën dy ditë më parë. Bëhet fjalë për një 30 vjeçar nga Vlora, i cili po  trajtohej në reanimacionin e përgjithshëm të spitalit “Nënë Tereza”. Viktima mësohet se ishte emigrant në Itali dhe kishte pak kohë që ishte kthyer në vend. Ndërkohë 10 persona të tjerë  janë në terapi intensive në shërbimet e  reanimacionit të përgjithshëm,atë të  spitalit Infektiv dhe sanatoriumin e kryeqytetit. Mes tyre edhe një grua shtatëzënë dhe një 15 vjeçar. Viktima e tretë e raportuar po dje është një 51 vjeçar nga Shkodra i cili  humbi jetën dy ditë më parë në spitalin e këtij qyteti. Ai ndodhej i shtruar prej 5 ditësh në repartin e reanimacionit me  komplikacione nga virusi AH1N1. Sipas drejtuesve të  spitalit 51 vjeçari nuk rezulton të ketë vuajtur nga sëmundje kronike të mëparshme. Sakaq Instituti i Shëndetit Publik bën me dije  ne te dy rastet e tjera  pacientet kane vuajtur nga sëmundje te renda kronike, çka ka bere qe virusi i gripit te derrit te jete agresiv tek ta. Viktima e dyte ishte  një grua 47-vjeçare edhe kjo nga Shkodra, e cila ka qëndruar për pesë ditë e shtruar në sanatorium. Ajo  vuante  nga mushkëritë, hipertensioni dhe obeziteti. Po kështu dy javë më  me pare një burrë  54 vjeçar nga Sukthi i Durrësit ndërroi  jetë  në sanatorium. Mjeket sqarojnë se edhe ky pacient ka vuajtur nga sëmundje kronike të zemrës dhe të prostatës, çka  rëndoi edhe më gjendjen e tij shëndetësore.
Rëndohet situata
Përkundër tonit zbutës me të cilin po  e trajton situatën ministria e Shëndetësisë, dhjetë ditët e fundit gripi i derrave është përhapur me ritme alarmante. Grupet më të rrezikuara për të pasur komplikacione janë të sëmurët kronikë ,gratë shtatëzëna dhe fëmijët. Këto kategori duhet të bëjnë kujdes pasi pasojat mund të jenë edhe fatale. Madje duhet të ishin vaksinuar tashmë kundër virusit AH1N1N. Por ndonëse ministria deklaroi dhjetëditëshin e parë të këtij muaji si afatin përfundimtar për tërheqjen e dozave të para,Shqipëria mbetet ende jashtë listës së shteteve që mbulohen me vaksinë. Janë 10 persona në gjendje të rëndë në reanimacionin e spitalit infektiv dhe sanatoriumin e kryeqytetit. Burime të sigurta bëjnë me dije se mes tyre edhe  një grua shtatëzënë dhe një 15 vjeçar janë rastet më kritike për jetën. ”Ajo çka vihet re është një shtim i personave me komplikacione dhe gjendje të rëndë,mund të kemi një rritje të numrit të viktimave madje. Ndërsa deri grup mosha me komplikacione ka qenë ajo mbi 40 vjeç,dy javët e fundit kemi një shtim të rasteve rëndë tek moshat e reja. Ky fakt duhet të na bëjë të shqetësohemi dhe të marrim një sërë masash”,pohojnë specialistët e ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tyre në javët në vijim pritet një agresivitet më i madh i virusit sidomos në janar dhe shkurt që është piku i sezonit gripal. ”Nëse pas disa ditësh situate gripale një qytetar nuk sheh përmirësim duhet të drejtohet urgjentisht tek mjekët”, pohojnë specialistët.

Simptomat

    Temperaturë e lartë
    Rrufë
    Probleme me frymëmarrjen
    Dhimbje të forta kyçesh
    Të vjella
    Djegie sysh
    Këputje të trupit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›