Vini Re! Nesër është Kuvendi i PD
Besnik Mustafaj
Më në fund duket se Partia Demokra
tike do e zhvillojë Kuvendin e vet
Kombëtar të radhës për të zgjedhur strukturat e saj të larta drejtuese, që do të thotë Këshillin Kombëtar, Kryesinë dhe Kryetarin. Fjala nuk është më këtu për të shtruar pyetjen nëse do të ketë surpriza: është e qartë se jo, nuk do të ketë asnjë surprizë porsa i përket frymës mbizotëruese në parti. Për të pasur surpriza të tilla duhej të kishim pasur një debat të brendshëm serioz gjatë gjithë etapave të fushatës sonë zgjedhore. Megjithatë, kam bindjen më të thellë se ky Kuvend do të shënojë një nga momentet më historike për jetën e Partisë Demokratike e rrjedhimisht me ndikim për krejt jetën politike të vendit. Duam s’duam ne demokratët vdekatarë, partia jonë është afruar në cakun e ndërrimit të elitave të saj drejtuese. Ky proces i ndërrimit të elitave drejtuese të PD-së, i filluar në pranverë 2005 në proporcione pak a shumë të natyrshme e deri diku brenda logjikës politike të përtëritjes së strukturave drejtuese të partisë, u përfundua mekanikisht e në mënyrë drastike pranverën e sivjetme. Fakti që Berisha do të jetë kryetar i partisë edhe pas këtij Kuvendi nuk e ndryshon aspak këtë realitet. Janë një mijë e një arsye objektive që më çojnë në këtë përfundim. Në krye të Partisë Demokratike, domethënë rrotull Kryetarit, do të kemi tashmë personalitete të tjerë, ca nga të cilët ndoshta i njohim nga pak, ca të tjerë nuk i njohim ende, por që do të kemi mundësi t’i njohim gjatë këtyre katër a pesë vjetëve të qeverisjes së dytë të Berishës. Kjo do të thotë se fryma, mbi të cilën do të zhvillohet ky Kuvend, do të përcaktojë standardet, mbi të cilat do të kryhet përzgjedhja e drejtuesve më të lartë demokratë pas katër vjetësh, kur edhe karriera e Berishës, në një mënyrë a një tjetër do të përmbyllet duam s’duam ne. Ky Kuvend, pra, do të na japë gjithsesi profilin e drejtuesit të ardhshëm të Partisë Demokratike. Pas katër vjetësh atij vetëm do i vihet konkretisht emri.
* * *
Nuk shoh asnjë shenjë që këto standarde
të jenë parimore, e këtu kam parasysh sidomos shmangien e klientelizmit. Mendimi për t’ia lënë në dorë ekskluzivisht Berishës përzgjedhjen e mjedisit prej nga do të dalë pasardhësi i tij, nuk më duket varianti më i mirë për të ardhmen e Partisë Demokratike. Përkundrazi, kam lexuar me vëmendje historinë e secilës nga partitë evropiane të qendrës së djathtë apo konservatore. Pa asnjë përjashtim, pasardhësit e emëruar nga kryetarët në ikje, jo vetëm kanë qenë të përkohshëm, dy ose tri vjet, por edhe kanë lënë prapa një konfuzion e një çoroditje në udhëheqjen e këtyre partive, me pasojë mbetjen e tyre jashtë pushtetit për dy a më shumë mandate. Formula e caktimit të pasardhësit nuk ecën në Evropë, qoftë fjala edhe për një vend me prapambetje të theksuar në kulturën demokratike si Shqipëria. Ky rrezik do të ishte mënjanuar në qoftë se fushata për zgjedhjet në parti do të ishte shoqëruar me debate dhe analiza të shëndetshme si dhe po të ishte zbatuar statuti në fuqi i partisë, ku shprehet qartë parimi për zgjedhjen e Kryetarëve të degëve si dhe Kryetarit të partisë sipas sistemit një anëtar një votë, gjë që do të kishte krijuar garën. Kjo nuk ndodhi, siç dihet. Për pasojë, vini re heshtjen e thellë, që do të thotë indiferencën, me të cilën po e pret opinioni i gjerë publik kongresin e partisë më të madhe të vendit.
Më duket rast i përshtatshëm këtu t’i përgjigjem për herë të parë dhe të fundit një pyetjeje, që ma kanë drejtuar nga larg nëpërmjet mesazheve sms dhe email-eve apo edhe drejtpërdrejt gjatë takimeve të ndryshme me mijëra demokratë nga e gjithë Shqipëria kur paraqita kandidaturën time për të marrë drejtimin e degës së Partisë Demokratike për Tiranën. Pyetja ishte: Pse nuk u këshillova me Berishën para se ta shpallja vendimin tim? Dhe pasonte këshilla: Gjej një mënyrë për t’u marrë vesh me Berishën, që të sigurosh mbështetjen e tij, apo qoftë edhe neutralitetin e tij! Si pyetja ashtu dhe këshilla ishin thellësisht dashamirëse dhe nuk kishin qëllim tjetër veç të më ndihmonin mua ta fitoja garën, ku kisha hyrë, apo qoftë edhe të mbetesha në politikën aktive. Ruaj vlerësimin më të ngrohtë për të gjithë ata që e kanë ndjerë për detyrë të sinqertë të ma shprehnin në këtë mënyrë solidaritetin e vet.
* * *
Kam menduar gjatë dhe e kam analizuar
me aq sa kam aftësi gjendjen brenda Partisë Demokratike para se t’i ofroja bazës demokrate të kryeqytetit gatishmërinë time për të marrë drejtimin e kësaj dege. Jam përpjekur në mënyrë të posaçme sidomos për të zgjedhur rrugën më të drejtë, më të shëndetshme e më të dobishme për t’iu qasur këtij misioni sipas meje tejet i rëndësishëm. Dhe arrita në përfundimin se kjo rrugë nuk mund të ishte tjetër veç mbështetja me të dy këmbët te statuti i partisë. Me këtë veprim unë synoja t’i thosha gjithë anëtarësisë demokrate se partinë e kemi juridikisht të gjithë njësoj të përbashkët dhe se dokumenti që na e siguron këtë “pronësi” të barabartë secilit prej nesh e të gjithëve bashkë, është statuti e vetëm statuti. Po ashtu, synoja t’i thosha posaçërisht Berishës, si kryetar legjitim i partisë, se isha i gatshëm të bashkëpunoja me të, me aq sa janë mundësitë e mia dhe se kuadri, mbi të cilin duhet të mbështetet ky bashkëpunim, nuk duhet të jenë lidhjet e shkurtra me të, të çfarëdo natyre qofshin këto lidhje, por statuti dhe vetëm statuti i partisë. Ky kuadër statusor është krejtësisht i mjaftueshëm për të bashkëpunuar ngushtë dhe i vetmi kuadër i qartë, transparent e parimor për t’i dhënë bashkëpunimit luajalitet të plotë, që do të thotë bashkim të energjive, secili në pozicionin e tij legjitim, pa cenuar hierarkinë dhe pa e coptuar pushtetin e demokratëve në parcela të njërit apo tjetrit klan.
Paraprakisht unë isha krejt i vetëdijshëm se kisha zgjedhur rrugën më të vështirë, në mos të pamundur për të fituar. Pra, nuk kisha asnjë arsye brenda vetes të habitesha me stepjen që shkaktoi fillimisht platforma ime te një masë e madhe demokratësh. Ndër kujtimet e mia më të bukura nga jeta politike gati njëzet vjeçare, është dhembshuria që shihja në sytë e shumë demokratëve tek më takonin rastësisht apo nëpër mbledhje, një dhembshuri e butë e që ua lidhte gjuhën. Nuk dinin si të më qortonin se përse po i bija murit me kokë. Por unë isha i vendosur të vazhdoja. Zgjedhja ime ishte dhe mbetet vetëm parimore. Nga pikëpamja filozofike edhe lidhur me veprimin politik unë jam evolucionist, gjë që më ka mbajtur gjithmonë me këmbë në tokë. Kjo do të thotë se unë, qysh në krye të herës, nuk prisja që platforma ime të përmbushej plotësisht. E dija që po përpiqesha të sillja diçka të re, me të cilën Partia Demokratike nuk ishte mësuar ende dhe përvoja ime politike dhe jetësore më mjafton për të parashikuar se sa të zorshme e ka për të çarë udhën e reja.
Unë e humba betejën time. Por jam i qetë se i lehtësova punën dikujt tjetër, i cili do të vijë pas meje një ditë, që do të jetë shumë e afërt, për ta filluar nga e para këtë betejë dhe për ta fituar, jam i sigurt. Ky është ligji i historisë, i cili, po nuk veproi në këtë rast, do të ishte me pasoja të rënda për Partinë Demokratike nesër.
Unë e humba betejën time si idealist brenda Partisë Demokratike. E kujtoj pa kurrfarë inati dhe pa turp një disfatë të tillë, pasi në këtë mënyrë mbrojta paqen time me veten, dhe kjo paqe me veten për mua është parësore. Ama, ka vend nga ana tjetër të shtrohet pyetja nëse këtë betejë e fitoi vërtetë Berisha? Po e lë të lirë lexuesin të mendojë përgjigjen. Vetëm po sjell në këtë shtjellim një episod të vogël nga jeta politike e fituesit të fundit të çmimit Nobel për paqen, që është Barak Obama. Pak para se të merrte funksionet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama u takua me tre nga paraardhësit e tij në atë post. Nga gjithë ai takim, shtypi botëror mbajti mend vetëm një pyetje, që u kishte drejtuar Obama tre ish-presidentëve të nderuar: Çfarë duhej të bënte ai vetë nesër, kur të merrte drejtimin e punëve të mëdha të shtetit, që bashkëpunëtorët e tij t’i thoshin vetëm të vërtetën, qoftë kjo e vërtetë edhe shumë e hidhur? E sigurt është se as Xhimi Karter, as Xhorxh Bush (babai) e as Bill Klinton nuk e këshilluan që të mblidhte rreth vetes, në Shtëpinë e Bardhë, një tufë servilësh qafë kërrusur, të cilët do të hynin në zyrën e madhe të shefit vetëm për të dëgjuar ligjëratat e tij, hyjnore, duke mbajtur shënim me duart e djersira e fytin e tharë nga sikleti.
* * *
Ky episod i vogël amerikan ma përforcon
mua bindjen se Berisha, duke shkelur statutin, i dha vetes dhe sidomos Partisë Demokratike në afat të gjatë një situatë, të cilën nuk e mbulon dot e drejta që rifitoi me 28 qershor në zgjedhjet e përgjithshme për të qeverisur vendin dhe katër vjet të tjera. Ai humbi kuadrin e ligjshëm, të vetmin kuadër të ligjshëm, mbi të cilin mund të ndërtohet një ekip qeverisës i shëndetshëm. Dhe në demokraci qeveriset me ekip. Ose nuk kemi më të bëjmë me demokraci. Shqiptarët e ndjenë e do ta ndjejnë dita ditës më shumë simptomën e rrezikshme që mbart kjo sjellje e Kryetarit të Partisë Demokratike. E vërteta është se në votë popullore, Partia Demokratike ka marrë dhjetë mijë e kusur vota më pak se Partia Socialiste, të barabarta këto me afro dy deputetë, në qoftë se ligji do të ishte ndryshe. Por ky fakt nuk e lëkund aspak legjitimitetin e shumicës së re parlamentare. Po ashtu, përjashtuar Shkodrën, Partia Demokratike humbi në të gjitha qytetet e mëdha e mesatare të Shqipërisë. Dhe në Shkodër brenda, atje ku fushatën e drejtoi vetë Zonja Topalli, të majtët si kurrë ndonjë herë në këto njëzet vjet, iu afruan pesëdhjetë përqindëshit të elektoratit. Kjo do të thotë se Partia Demokratike humbi në të gjitha vendet, ku është përqendruar bota universitare, e cila është bota e rinisë dhe e dijes: ku është e përqendruar po ashtu bota e biznesit, që është motori i zhvillimit të vendit në kushtet e ekonomisë së tregut. Për ne, që kemi drejtuar fushata qysh në zgjedhjet e para të lira e që e kemi ende kujtesën në rregull, kjo tablo na kujton saktësisht vitin 1991, por në variant të përmbysur. Në ato zgjedhje të para ne demokratët fituam në të gjitha qytetet e mesme e të mëdha të Shqipërisë, pa asnjë përjashtim, por humbëm në të gjitha fshatrat.
* * *
Kuvendi i ardhshëm i PD-së do të jetë një
moment jetik, për të përcaktuar kthesën, ose qoftë vazhdimësinë. Do të vazhdojë Partia Demokratike ta thellojë profilin e saj të sotëm rural, apo do të rikthehet te vetja fillestare, për të vënë në qendër qytetarin, në krejt kuptimin e kësaj fjale? Do të bëhet ajo parti e garës së hapur, nëpërmjet së cilës përzgjidhen ekipet e qëndrueshme fituese, apo do të katandiset përfundimisht si parti delfinësh, qofshin këta edhe me emra të njohur si Jozefina Topalli apo Lulzim Basha? Dy shembujt e mësipërm janë një dëshmi e gjallë e faktit se edhe delfinët i nënshtrohen ligjësive të luftës së egër brenda llojit. Paaftësia e tyre për ta përmbajtur pak veten për të fshehur të paktën publikisht vrerin që kanë për njëri-tjetrin, paralajmëruan kacafytjen e tyre në mungesë të Berishës, çka nuk jep asnjë shpresë se mund të ndërtojnë së bashku një ditë ekip. Të paktën jo një ekip fitimtar. Gjithsesi, mendoj se secili nga këta dy protagonistë të sajuar meriton analizë të posaçme.
besnik@afalc.org