E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilaçet e Dajtit kushtojnë pesë mijë lekë në ditë

Mjekët: Të gjitha shpenzimet e Dajtit po i përballon spitali. Në "faturë" nuk kemi vendosur analizat dhe ekzaminimet


TIRANË- Shpenzimet ditore të shtetasit Dritan Dajti brenda dhomës së tij në Spitalin e Burgut kapin shifrën e pesë mijë lekëve të reja. Ky fakt konfirmohet nga zyrtarët e institucionit shëndetësor pranë Spitalit të Burgut në kryeqytet, duke shtuar se tek kjo shumë përfshihet mjekimi i plagëve, ilaçet, kujdesin shëndetësore dhe ushqimin që ai konsumon brenda 24 orëve. Ndërkaq, sipas këtyre burimeve, brenda kësaj shume nuk janë përfshirë shpenzimet e analizave, konsultave mjekësore, radiografia dhe skaneri dhe shërbimi i personelit të këtij institucioni dhe të punonjësve të ruajtjes dhe sigurisë së tij fizike.

Sipas zyrtarëve të burgut, që nga dita e shtrimit të shtetasit Dritan Dajti në këtë institucion që është data shtatë gusht 2009 e deri dje, asnjë ilaç apo mjekim a ekzaminim mjekësor i nevojshëm nuk është siguruar nga familjarët, por, të gjitha këto janë siguruar nga vetë institucioni i Spitalit të Burgut. "Ne nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë një faturë të shpenzimeve të Dritan Dajtit që nga shtrimi i tij në Spital të Burgut, por, ju informojmë se që nga dita e parë e deri më sot (dje) të gjitha ilaçet e nevojshme dhe ekzaminimet e tjera mjekësore janë përballuar nga vetë institucioni i Spitalit të Burgut që është në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve"- theksoi për "Shekulli" drejtori i këtij institucioni, kirurgu z. Ylber Vata.

Sipas tij, i gjithë personeli mjekësor i Spitalit të Burgut, që nga dita e shtrimit të tij në këtë institucion i është përgjigjur nevojave mjekësore të Dajtit, duke kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme për përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore. "Që nga dita e parë kur është shtruar shtetasi Dritan Dajti në Spitalin e Burgut, institucioni ka kryer një numër të madh konsultash me mjekë e specialistë të ndryshëm, që nga kirurgu, neurologu, neurokirurgu, ortopedi etj etj, si dhe i janë bërë disa radiografi e skaner, pa përjashtuar këtu Echo e analiza të ndryshme mjekësore. Të gjitha këto janë përballuar nga Spitali i Burgut dhe Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë"- shtoi drejtori Vata. Ndërkohë, nga një përllogaritje e thjeshtë e shumës së shpenzuar brenda ditës nga i dënuari me 25 vjet burg Dritan Dajti dhe i akuzuar për vrasjen e katër agjentëve të policisë tashmë, rezulton se për përmirësimin e shëndetit të tij Spitali i Burgut harxhon vetëm ilaçe që arrijnë shifrën mbi 3500 lekë të reja. Ilaçet konsistojnë, sipas këtyre burimeve, në serumet dhe ampulat e ndryshme për tre plagët e hapura që ka në trup.

Mjekët pohuan se plaga e krahut thuajse është normalizuar dhe pritet heqja e penjëve, plaga e barkut, ku është operuar në Spitalin e Durrësit, po mbahen nën vëzhgim për të parë dëmtimet që ka shkaktuar plumbi në stomak. Ndërkohë po tentohet për t'ia heqin predhën e ndaluar në cepin e fundit të shtyllës kurrizore. Në plagën që ka në kofshën e djathtë ka predhën e plumbit të pa hequr. Pra, për të gjitha këto, Dajti merr mjekime të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe ilaçet kundër paralizimit të këmbës së majtë, e cila është dëmtuar nga predha që ndodhet në fund të shtyllës kurrizore.

Ndërkohë, shpenzimet e tjera që kapin shifrën rreth 1500 lekë të reja në ditë përveç atyre të ilaçeve, janë dieta e ushqimit dhe shërbimi mjekësor i pastrimit të këtyre plagëve, duke harxhuar gaza e fasha të ndryshme. Të gjitha këto mjekime dhe ilaçe janë përballuar nga Spitali i Burgut, pa i përfshirë këtu filmimet që ka kryer më 14 gusht në QSUT, të radiografisë së mushkërive, këmbës, legenit, shtyllës kurrizore si dhe skanerit të detajuar, ku janë lokalizuar predhat që ndodhen në trupin e tij. Mësohet gjithashtu, se brenda ditëve në vazhdim Dajti mund t'i nënshtrohet dy operacioneve për heqjen e predhave, atë të shtyllës kurrizore në Spitalin e Neurokirurgjisë dhe të këmbës në pavijonin e Ortopedisë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›