Tentojnë t'i prishin shtëpinë, kërcënon me vetëvrasje
Qamil Hasa ka kundërshtuar shembjen e ndërtesës duke u shprehur se gjithçka e ka me dokumente të rregullta
SHKODËR - Ka kërcënuar se do t'i japë fund jetës nëse nuk i jepet e drejta që i takon dhe nëse i cenohet prona. Qamil Hasa, banor i qytetit të Shkodrës, ka kërkuar që të vihet në zbatim dokumentacioni që ai disponon dhe të mos ketë ndërhyrje për të dëmtuar pronën e tij, përndryshe do të vetëvaret në banesën e tij, si prova e fundit për të kërkuar të drejtën në Shqipëri. Ndërkohë, të informuar për ngjarjen, në vendngjarje kanë mbërritur dhe efektivë të policisë së Shkodrës, të cilët janë munduar të qetësojnë shtetasin Hasa, por kanë hasur në kundërshtimin dhe akuzat e ngritura prej tij edhe në drejtim të tyre duke i cilësuar si të përfshirë në veprimin për të prishur objektin dykatësh në pronësi të tij. Ai ka theksuar se uniformat blu nuk arrijnë ende të mbrojnë jetën e individit në Shqipëri, ndërsa e ka cilësuar të turpshëm veprimin e Ndërtimorëve për t'i prishur objektin që Hasa thotë se e disponon sipas të gjitha rregullave të përcaktuara në legjislacionin shqiptar.
***
Konflikti për pronën ka vite që ka përfshirë këtë shtetas, i cili në bazë të dokumenteve që disponon, figuron pronar i truallit dhe ndërtesës 2-katëshe. Por pretendimi ka lindur nga pala tjetër, e cila është në proces gjyqësor si e paditur nga shtetasi Hasa, e cila pretendon se një pjesë e ndërtesës është e ngritur në tokën e tyre. Për të zgjidhur çështjen kanë mbërritur dhe përfaqësues të përmbarimit në Shkodër. Ka qenë përfaqësuesja e Përmbarimit, Mira Mhilli, e cila ka sqaruar çështjen duke deklaruar se çështja në fjalë ka kohë që endet në zyrat e Përmbarimit të Shkodrës, por do të marrë zgjidhje.
Në këtë mënyrë tashmë konflikti për pronësinë ka rrezikuar të shkojë në një tragjedi. Hasa ka akuzuar ashpër sistemin gjyqësor, si të korruptuar dhe pjesë e lojërave të pista që bëhen për pronësinë në Shkodër. Nga ana tjetër, burime pranë zyrës së përmbarimit në Shkodër bëjnë të ditur se pikërisht do të ndërhyhet, por do të spostohen kolonat për ndërtimin e godinës dhe do të spostohet muri rrethues.