E Diel, 1 Nëntor 2026

Letër mikut tim



Miku im!
Kohë më parë, nëse të kujtohet, bisedonim rreptë mbi një nismë që FDE kishte marrë asokohe. Si mik i mirë që je, po me plot dyshime e mosbesim ndaj asaj që FDE nistonte e printe, pyesje dhe ndoshta ende do pyesje - Kush jeni ju që keni ndërmarrë këtë nismë? Për momentin u ndjeva ngushtë dhe herë pas herë vijoj të ndjehem ngushtë kur më bëhët një pyetje e tillë. Po përgjigjia me erdhi aty për aty dhe ndoshta nuk e shpreha kurrë ashu si duhet. – “Ne, unë dhe ti, jemi qytetar të këtij vendi”. Sa herë që reflektoj mbi këtë përgjigjie më duket sa e gjetur aq dhe e pavend dhe më beso, këtë nuk e them për të luajtur me fjalët, porse vërtetë ndjehem kështu. Arsyeja është e thjeshtë. Kur thua “qytetar i këtij vendi” në të folurën e përditshme mund të merret së paku në dy kuptime. Në njërën anë do të thotë se je një subjekt që bindesh pa kundërshti ose në anën tjetër kundështon dhe shkel rregullat si ke deshirë pa menduar se po bënë diçka të palejueshme. Në këto raste termi qytetar mund shprehet në mënyrë më adekuate kështu: i bindur baraz nënshtetas dhe i pabindur baraz mbi-shtet(as). As unë e as ti, të paktën atë ditë, sado që zjarrmnisht kundërshtonin njëri-tjetrin, nuk besoj se e kishim fjalën për të parin kuptim, vetëm se, ka mundësi se ti e kishe fjalën për kuptimin e dytë. Ndoshta, ndoshta miku im doje të thoje se kush jeni “ju” që guxoni të merrni këtë nismë, pra kush jeni “ju” të “pabindur”, “ju arrogantët”. Sigurisht që kurrë s’kemi dashur të jemi e as të përshfaqemi të tillë. Porse unë dhe miqtë e mi duam të ndërtojmë nëpërmjet FDE-së një pakt për të ardhmën me shoqërinë shqiptare. Është një nismë për të ngritur një sistem besimi një frymë, a thënë në terma më skolastik, një kulturë besimi të mbartur nga një grup njerëzish që marrin përsipër përgjegjsi për këtë vend. E prejkëtejmi, si thotë një nga miqtë e mi më të ngushtë që kjo shoqëri të mos ngelet një shoqëri ankuese, që qahet e përqahet se dikush apo të tjerët po e keqdrejtojnë apo e kanë keqdrejtuar, e keqpërdorin apo e kanë keqpërdorur, apo ç’fardo keqi plus tjetër.
Prandaj në vështrimin tim FDE ka dashur dhe përpiqet dhe, me Shpresë n’Zot do t’ia dalnin, që ditë pas dite, të inkurarojë të mirën e atij që e mbart dhe e përçon, pa mëtuar se ne dhe vetëm ne mund ta bëjmë një gjë të tillë, pa mëtuar se askush tjetër nuk ka dhënë një kontribut të tillë, pa mëtuar dhe mohuar se të tjerë janë duke u përpjekur për të bërë një gjë të tillë, por ne thjesht kemi ofruar vetën për të sjellë bashkë këtë frymë, më të vetmin synim që të bëjmë diçka për veten dhe shoqërinë tonë e paskëtaj ndoshta dhe mund t’ia lejojmë vetes që të ankohemi ndonjëherë që gjërat nuk po ecin si duhet. Më konktretisht akoma, sepse e di që je shumë dyshues dhe bënë mirë. Për t’ia arritur këtij qëllim jemi nisur dhe bazohemi se kjo gjë mund të realizohet nga ata njerëz që shoqëria i njeh dhe ata e njohin veten që mund të marrin përgjegjësinë të drejtojnë, e që mund të japin zgjidhje të mira e të drejta për këtë shoqëri. E vëmë theksin te ata që kanë shqetësim të mirën e gjithësecilit e, jo vetëm të mirën vetjake e private, sepse këta të fundit për fat të keq janë shumë. Në këtë pikë miku im kemi shumë për të bërë sa mund të themi pa ndroje se ka një begati të pasosshme E kësisoj, unë bashkë me miqtë e mi, ku shpresoj se ndër ta do jesh dhe ti në të ardhmën, ia kemi hequr vetës luksin për t’iu kërkuar llogari vetëm të tjerëve, si bashkohasve ashtu dhe atyre që drejtuan apo u drejtuan në këtë vend.

Doktorant Nebi Bardhoshi
Zv/Drejtor i FDE
Studiues pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve në fushën e Antropologjisë Juridike dhe Pedagog pranë UET, dhe Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›