E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërkëmbimi konfliktual Tivari-Al Haramain

09/11/2004  TIRANË – Zbulohet letërkëmbimi mes Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe shoqatës "Al Haramain", e cila veproi në Shqipëri deri në vitin 2002. Konfliktet mes Al-Haramain dhe Komunitetit Mysliman për çështjet e financimeve, kanë zgjatur me muaj të tërë dhe janë mbyllur shumë pak kohë para se Salih Tivari të gjente vdekjen nga dy plumba. Gazeta "Metropol" sjell dokumentacionin e plotë zyrtar, në të cilin pasqyrohen fakte të reja rreth këtyre mosmarrëveshjeve dhe tentativës gjysmë zyrtare, që selia e myslimanizmit në vendin tonë të përdorej për pastrim parash nga fondacioni, që pak ditë më parë hyri në listën e shoqatave që kishin ndihmuar me financime jo të pastra rrjetin terrorist ndërkombëtar Al-Kaida. Letërshkëmbime që serviren sot janë vetëm një pjesë e vogël e më shumë se 1 viti korrespondencë për të gjetur një zgjidhje për financimet. Një komunikim që mban nuancat e paralajmërimeve për mbyllje të financimeve, por edhe për shkëputje marrëdhëniesh. E gjitha kjo, në rast se Komuniteti Mysliman do të vazhdonte të mos i pranonte financimet me lekë në dorë. Krerët e Komunitetit, i cili asaj kohe, më shumë se askush, përfaqësohej nga Sekretari i Përgjithshëm, Salih Tivari, këmbëngulin që veprimet të kryheshin nga arka e komunitetit dhe nga bankat, çka do të thotë me veprime të ligjshme financiare. Al-Haramain, në mënyrë shumë "diplomatike" nuk gjen dot një zgjidhje të tillë, duke e quajtur rrugën e zgjedhur nga Komuniteti Mysliman, si të papërshatshme për realizimin e investimeve...

Letërkëmbimi

Në një letër që Komuniteti Mysliman i drejton Al-Haramain, në muajin shtator të vitit 2002 shkruhet e zezë mbi të bardhë: "U bë një kohë afro një vjeçare që po komunikojmë me shkresa zyrtare dhe me ndonjë takim të rastit, por pa arritur rezultate. Për të patur mirëkuptim më të plotë nuk po i referohemi më korrespondencave më të gjata. Duhet të bisedojmë më konkretisht se ku e shihni veten tuaj për të kontribuar për Islamin në Shqipëri, direkt me institucionin qendror islam, që është Komuniteti Mysliman". Më tej, kërkesat e Komunitetit bëhen më të qarta. Ajo çka i kërkohet përfaqësuesve të fondacionit është vetëm që: "Ju kemi kërkuar që të dyja pagesat (flitet për pagesa mujore) të bëhen nëpërmjet arkës së Komunitetit. Ju jo vetëm që nuk e bëtë, por dhe e pretë pagesën e parë që nga shkurti i këtij viti (2002). Dhe letra në fjalë mbyllet me pyetjen që vetë përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman e kanë quajtur konkrete dhe tepër reale: Ç'mendoni për aktivitetin islam të shoqatës suaj në Shqipëri direkt me Komunitetin Mysliman? Çfarë mendoni për sponsorizimet tuaja që janë ndërprerë, ku janë mundësitë tuaja? Dokumentet hetimore, theksojnë se, Salih Tivari e kishte shfaqur më shumë se një herë kundërshtimin e tij për financimet e 'Al-Haramain', të cilat edhe Kryetari i Bashkësisë Islame në Kosovë, Rexhep Boja, i kishte cilësuar të dyshimta.

"Pamundësia"

Në një letër zyrtare që fondacioni bamirës "Al-Haramain" i ka dërguar Komunitetit Mysliman, në fillim të vitit 2002, i përgjigjet kërkesave të përsëritura të përfaqësuesve të këtij komuniteti, për pagesat e veprimtarive të ndryshme. "Al-Haramain" nënvizon në letrën e dërguar Komunitetit se, përsa i përket kërkesave të kësaj strukture, që pagesat për veprimtari të ndryshme, sipas propozimit të Komunitetit, që veprimet financiare të kalojnë nga arka, konsiderohet si një praktikë e papërshtatshme, megjithë mirëkuptimin e mundshëm. "Është jashtë çdo praktike ekzistuese menaxhimi i këtyre fondeve nga një palë e tretë (Komuniteti). Për këtë qëndrim kemi dhe konfirmimin e zyrës sonë Qendrore në Riad". Me këtë përgjigje, ky fondacion ka shmangur me "lezet" kalimin e fondeve që mund të ishin për ndërtime xhamish, bamirësi për jetimët, apo të varfërit, nëpërmjet fletë-mandateve të pagesës së Komunitetit Mysliman. Ngelet e justifikuar me dëshirën dhe kërkesën e llogarisë nga Qendra, pra nga Arabia Saudite, pamundësia për të kaluar çdo gjë në "sitë" zyrtare.

Përfaqësuesi që bëri

presion ndaj Tivarit

Pikërisht, përcjellësi i politikës së Al-Haramain, sipas Prokurorisë, ka qenë dhe Artan Kristo, Alias Muhamed Abdullah, përfaqësuesi i fondacionit "Al-Haramain" në vendin tonë. Këmbungulja e Kristos është shfaqur në jo pak raste në zyrën e Tivarit, që financimet e fondacionit që ai drejtonte në Tiranë të mos kalonin nga arka e Komunitetit, çka do të thotë të mos depozitoheshin në banka, apo të kalonin në llogari bankare, por të kalonin kesh në dorë. Al-Haramain, pasi nuk ka gjetur mirëkuptimin e Komunitetit Mysliman për të bërë sipas udhëzimeve që kishte, ka ndërprerë çdo donacion. Situata ka precipituar pas shumë letrash të dërguara në mënyrë të ndërsjelltë, në të cilat pasqyrohet jo pak konfliktualitet. Artan Kristo ose Muhamet Abdullah, ka shkuar herë pas here në zyrën e Tivarit për të kërkuar lehtësira të tilla, kanë dëshmuar për policinë dhe prokurorinë bashkëpunëtorë të ngushtë të Sekretarit të vrarë në janar të 2002-shit. Mospranimi i Tivarit për të kryer aktivitete që nuk do të kalonin nga arka e Komunitetit, duket se ka nxitur dhe një lloj debati brenda anëtarëve të asaj kohe të komunitetit, të cilët kanë ndjerë se po i ikën "veza e artë" nga duart. Fërkimet, kanë dëshmuar persona të shumtë, pranë organit të akuzës dhe shërbimeve sekrete, kanë qenë të njëpasnjëshme. Pas mbylljes së Al-Haramain dhe shpalljes së saj si "non gratta", Muhamed Abdulla është "zhdukur" për disa kohë, derisa është bërë i gjallë me një shoqatë të vogël islamike në qytetin e Durrësit. Aktualisht, Muhamet Abdullah besohet se nuk është më në vendlindjen e tij. Burime operative kanë deklaruar pak ditë më parë për gazetën "Metropol" se, shtetasi Muhamet Abdullah dyshohet se mund të jetë larguar në drejtim të Lindjes së Mesme dhe më konkretisht mund të ketë gjetur strehim në Siri. A.B.

Kronologjia e letërkëmbimit

Datë 11.2.2001

Nr.1337

Komuniteti Mysliman dërgon shkresë për Al-Haramain, ku verën se në mënyrë të vazhdueshme në xhami, janë shfaqur veprimtari të pamiratuara, selefiste dhe vehabiste, të cilat nuk janë miratuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, e që, sipas tij, janë bërë shkak për cënimin e figurës së vërtetë të islamit në vendin tonë

Datë 28.01.2002

Ref.184/9/22

Fondacioni "Al-Haramain" dërgon shkresën zyrtare në Komunitetin Mysliman, ku kërkon miratimin e financimeve prej tij, pa i kaluar ato nga bankat në arkën e Komunitetit. Al-Haramain kërkon shtrirjen dhe zgjerimin e investimeve në disa Myftini të vendit. Paralajmërohet anulimi i investimeve, nëse Komuniteti këmbëngul në kalimin e parave në banka

Datë 02.09.2002

Numër Prot.994

Komuniteti Mysliman i dërgon një shkresë shoqatës "Al-Haramain!", ku thuhet se, Kryesia e Komunitetit, në mbledhjen e fundit të datës 28.08.2002 ka marrë vendimin të mos pranojë asnjë financim, i cili nuk kalon nga bankat në arkën e Komunitetit Mysliman. Hidhen dyshimet nga Komuniteti për financimet e dyshimta

Enigmat e dosjes “Tivari”

E kanë një pikë të dyshimtë faktet e publikuara së fundi për dosjen penale mbi vrasjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, Salih Tivari. Një vrasje, e cila i dha fund “dorës së fortë” që kishte treguar juristi 58-vjeçar, në ndalimin e financimeve të dyshimta, të cilët nuk kishte pranuar të kalonin nga thasët e fondacioneve të huaja në arkën e Komunitetit. Ky qëndrim i mbajtur prej Tivarit, pasqyrohet në dokumentet e hetimit si një “mollë sherri”, mes jo pak anëtarëve të Komunitetit, që njiheshin si përkrahës të Al-Haramain dhe Sekretarit të Përgjithshëm, i cili gëzonte jo pak kompetenca.

Enigmat

Në zyrën ku disa herë me radhë kishte refuzuar financimet në dorë të Al-Haramain, ku kishte shkëmbyer replika kulminante e gati konfliktuale, ku kishte dëgjuar edhe paralajmërime ndaj tij, Salih Tivari, 58 vjeç, u gjet i vdekur nga dy plumba mëngjesin e 13 janarit të vitit 2002, në orën 08.23. Një “absurd” do të shoqëronte hetimin e zhurmshëm të ngjarjes së rëndë. Prokurorët shkojnë të lajmëruar me vonëse në vendin e ngjarjes. Policia lë tri gjurmë gishtash mbi shenjat e katër anëtarëve të Komunitetit dhe të dy vrasësve. E gjitha kjo ndodhte në kohën kur xhaketa që kishte veshur Tivari, e cila është zbërthyer nga vrasësit, të cilët kanë qëlluar poshtë saj dhe e kanë mbërthyer, është zhdukur bashkë me gjurmët e gishtave në kopsa. Trupi i pajetë, jo vetëm që nuk fotografohet sipas ligjit në vendin e vrasjes, por nuk i nënshtrohet autopsisë (analizë shkencore e shkaqeve të vdekjes).

Dyshimet

Si të mos mjaftonin të gjitha këto, roja, i vetmi person që kishte parë fytyrën dhe kishte dëgjuar zërin e dy personave që janë futur në Komunitet në kohën kur ndodhi vrasja, nuk ka dëshmuar. Jo vetëm se ai nuk ka ndihmuar policinë në ndjekjen e autorëve ditën e ngjarjes, por as Prokurorisë nuk i ka thënë diçka për identifikimin e tyre kohë pas vrasjes. Hetuesve të policisë, roja u thotë se nuk ka parë asgjë. Prokurorëve u thotë se ka patur konflikt me dy persona që kanë kërkuar të hyjnë në Komunitet, ndërsa i ballafaquar me regjistrimet filmike të Shërbimit Informativ, roja pranon se në ambientet e këtij institucioni i kishte parë vrasësit, ishte përpjekur t’i ndalonte, por është detyruar t’i lejonte të hynin, sepse ata i kanë përmendur vendin e punës. T.S

Pistat e vrasjes

Prokurori i Përgjithshëm Sollaku:

Terrorizmi

Konfliktet brenda Komunitetit

Problemet personale

13 janar 2002

Vritet në zyrën e tij Sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman, Salih Tivari. Dy persona, pas një bisede me rojet e selisë, hyjnë brenda dhe qëllojnë mbi Tivarin

21 janar 2002

Ish-shefi i Shërbimit Sekret Shqiptar, Fatos Klosi deklaron se, Salih Tivari i kishte kërkuar ndihmë në zyrën e tij. Sipas Klosit, Tivari ka folur për një grup të rinjsh me prirje radikale, të shkolluar jashtë vendit në shkolla gjysmë ushtarake

Mars 2003

Prokuroria e Tiranës deklaron se ishin zbuluar tri persona të dyshuar, dy prej të cilëve mendohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e Salih Tivarit

30 tetor 2004

Prokuroria deklaron se dy persona janë identifikuar si vrasësit e Salih Tivarit. Por, sipas hetuesve, ndaj të dyshuarve nuk ka prova për ngritjen e akuzës. Një i dyshuar në qeli

4 nëntor 2004

Hetuesit thonë se xhaketa e Tivarit nuk ka shenja plumbash. Kostumi i numrit dy të Komunitetit Mysliman ka përfunduar në Prokurori kohë pas vrasjes. Dyshohet se autorët kanë lënë gjurmët në kopsa. Katër zyrtarë kanë lënë gjurmët “gabimisht” në vendin e ngjarjes

5 nëntor 2004

Grupi hetimor shprehet se dosjes për vrasjen e Tivarit i mungon autopsia. Sipas hetuesve, trupi i pajetë është lëvizur nga spitali nga anëtarët e Komunitetit Mysliman, të cilët kanë dashur të kryejnë ritet fetare

Salih Tivari

Anëtarësuar në Komunitetin Mysliman Shqiptar: 1991

Mosha: 58 vjeç

Arsimi: Juridik

Detyra: Sekretar i Përgjithshëm i KMSH

Profesioni: Avokat

Dokumenti: Dy rrymat e pamiratuara nga Komuniteti

“Selefistët dhe vehabistët na prishin imazhin”

TIRANË – Rrymat ekstremiste islamike janë praktikuar dhe kanë pasardhës në Shqipëri. Tre vjet më parë, në një dokument të firmosur nga vetë kreu i asaj kohe i Komunitetit Mysliman, Hafiz Sabri Koçi, pranohet ekzistenca e rrymave të ndryshme fetare, përveç asaj që propagandohet "zyrtarisht" në xhamitë e vendit tonë. Rrymat e cilësuara si ekstremiste, selefiste dhe vehabiste. Është hera e parë që bëhet publik një dokument zyrtar, ku problemi i sekteve, të cilat propagandojnë rryma të tjera, të cilat mund të konsiderohen dhe si të rrezikshme. Financuesit e këtyre rrymave kanë qenë fondacionet bamirëse islamike, mes të cilëve dhe “Al-Haramain”. Në letrën që gazeta "Metropol" bën sot publike, i jepen përgjigje shumë pyetjeve dhe hamendjeve që përfliten prej kohësh.

Letra e Komunitetit

Ajo daton në shkurt të vitit 2001 dhe mban numrin e protokollit 1337. Pas fjalëve hyrëse në letrën e Komunitetit të sigluar nga H.H.Sabri Koçi, thuhet: "Drejtimi fetar dhe i përligjur në Statutin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në të gjitha organizmat e tij në qendër dhe në rrethe është i mes'hebit (shkollës) Hanefi. Në mënyrë të vazhdueshme janë vërejtur në xhami dhe në ambiente jashtë saj se ka kurse të tjera të pamiratuara, të vetëquajtura selefiste dhe vehabiste (që predikojnë një "luftë të hapur" kundër të gjithë atyre që mendojnë e veprojnë ndryshe nga ata), dëmtojnë imazhin e Islamit në Shqipëri". Më tej, letra vazhdon: Duke u nisur nga kohët e fundit, kanë ndodhur veprime destruktive nga disa elementë të veçantë të Xhamisë së Madhe në Durrës, ku kanë bërë presione dhe shantazhe. U morën të gjitha masat dhe gjendja në Durrës u stabilizua. Shenja të tilla ka dhe në rrethe të tjera të vendit.

Financuesit

Sipas asaj çka është e shkruar nga vetë krerët e Komunitetit Mysliman, sektet selefiste dhe vehabiste, të cilët mendohet se janë sekte të ekstremit fanatik arabo-islamik e sponsorizuar nga vendet arabe, kanë qenë të mbështetura moralisht dhe materialisht nga disa shoqata bamirëse islame që kanë vepruar në vendin tonë. Faktorët kryesorë që këto të rinj, kryesisht janë rreshtuar mes adhuruesve të sekteve selefiste dhe vehabiste, kanë qenë varfëria ekonomike dhe traumat sociale. Sipas asaj çka atë kohe është konstatuar nga vetë Komuniteti Mysliman është se, të ashtuquajturit thirrësa, të cilët bënin predikimet e këtyre sekteve kanë qenë pa arsimin përkatës, gjë që mund të çonte dhe në manipulime më të mëdha me të rinjtë. Shqetësimi i Komunitetit ka qenë se këto kurse kanë qenë pa lejen e këtij komuniteti dhe jashtë kontrollit të tyre. Krerët myslimanë i kanë kërkuar përfaqësuesve të këtyre shoqatave, që të mos kryenin asnjë veprim pa marrëveshjen me Komunitetin Mysliman, të mos paguajnë asnjë person të veçantë apo grupim si dhe të verifikojnë me kujdes aktivitetin e tyre në këto drejtime. A.B

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›