E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Qarku i Tiranës, me status metropoli"

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, premtoi zgjerimin e hartës së metropolit shqiptar. Në një takim në Komunën e Farkës, Rama deklaroi se nga Dajti në Rrogozhinë e Kavajë dhe nga Farka deri në Vorë, Ndroq e Kashar, do të marrë statusin e metropolit duke u shtrirë në të gjithë këtë qark. "Do t‘i japim status të ri ligjor Qarkut të Tiranës, si metropol i Shqipërisë, dhe duke i hapur rrugë një zhvillimi të ri, me një ritëm të ri, me një shpejtësi të re kryeqytetit dhe të gjithë zonave të tjera, që nga Dajti e deri në Rrogozhinë e Kavajë, që nga Farka deri në Vorë, Ndroq e Kashar, duke u zhvilluar me një shpejtësi të re si një metropol i integruar, me shërbime të integruara", deklaroi kryesocialisti. Rama u shpreh se do të ketë shërbim ujësjellësish të integruar, shërbim transporti të integruar, shërbim arsimi e shëndetësie të integruar. Edhe pse me një status të ri ligjor, Rama sqaroi se të gjitha njësitë vendore do të ruajnë autonominë, por duke i hapur rrugë një zhvillimi të qëndrueshëm rajonal. Rama nënvizoi se ideja për zhvillimin e zonës është një prej arsyeve që banorët e kryeqytetit duhet të votojnë më 28 qershor për Partinë Socialiste. "Që transformimet e bëra në këto vite, t‘i përshpejtojmë dhe që të bëjmë në 4 vitet e ardhshme më shumë se ç‘kemi bërë në 8 vitet e shkuara të marra së bashku në Tiranë. Ndërsa të gjithë të tjerët që banojnë rreth Tiranës kanë po ashtu një arsye madhore, e cila ka të bëjë me domosdoshmërinë që edhe komunat përreth, edhe bashkitë e tjera të këtij qarku, deri në Kavajë, të mund të zhvillohen me ritmin e Tiranës", sqaroi kreu socialist. Rama shprehu angazhimin se për kryeqytetin dhe për të gjithë Qarkun e Tiranës do të hapet një faqe e re në historinë tonë të përbashkët. Kryeqyteti, tha ai, do të zhvillohet disa herë më shpejt, ndërsa qarku do të zhvillohet disa dhjetëra herë më shpejt. I gjithë Qarku i Tiranës, metropoli i ri i Shqipërisë, me një status të ri ligjor dhe me një projekt të ri zhvillimi, do të jetë një lokomotivë e fuqishme, që do të rrezatojë në mbarë Shqipërinë dhe do të tërheqë pas të gjithë Shqipërinë.

Po dje, Rama zhvilloi një takim në spitalin pediatrik të Tiranës, duke premtuar ndryshim radikal të sistemit shëndetësor.

Sistemi shëndetësor, që do të ngrejë PS pas 28 qershorit, tha Rama, do të jetë shërbim shëndetësor universal, që nuk do t‘u shërbejë vetëm atyre që paguajnë sigurime, por do t‘u shërbejë të gjithëve. Rama vuri theksin dhe te fakti se vdekshmëria foshnjore është tri herë më e lartë se në të gjithë Europën dhe kjo është e pafalshme dhe e patolerueshme. Gjatë bashkëbisedimit, kreu i PS u shpreh për domosdoshmërinë e shkëputjes së sistemit nga skemat korruptive të sigurimeve dhe për një ndryshim radikal të të gjithë sistemit shëndetësor pas 28 qershorit. "Ne jemi të bindur se sistemi shëndetësor i bazuar në sigurime është i falimentuar, është i korruptuar, është tërësisht i kalbur. Fakti që e gjithë përgjegjësia iu transferohet mjekëve dhe janë kthyer mjekët dhe infermierët në shënjestër për të gjuajtur me baltë gjithë ditën e ditës, është shprehja më e degjeneruar e këtij sistemi", tha ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›