E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: E majta do të bashkohet në fitoren e 29 qershorit

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, vijoi takimet elektorale në qytetin e Gramshit. Në miting, kreu i LSI, Meta, shoqërohej nga kandidati kryesues i listës së Qarkut të Elbasanit, Bujar Kllogjri, si dhe nga analisti i njohur Artur Zheji, kandidat i LSI në Durrës. Në fjalën e tij në miting, Meta u shpreh se "jam shumë i lumtur, sepse së bashku me ju mezi po presim 28 qershorin, ditën kur populli me votën e tyre do të sjellë fitoren e LSI". Më 28 qershor, u shpreh kreu i LSI, fituesja e zgjedhjeve është e majta, sepse fituesja e vërtetë është Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi ajo vendos shumicën e ardhshme parlamentare, ajo vendos qeverinë e ardhshme. "Të gjithë socialistët dhe progresistët në Gramsh dhe në të gjithë Shqipërinë, e dinë shumë mirë se kush ia ka treguar ligjin Sali Berishës dhe e dinë shumë mirë se kush do ta largojë Sali Berishën më 28 qershor dhe ky është Ilir Meta dhe LSI", nënvizoi Meta. Ne e kemi thënë, vijoi ai, në mënyrë shumë të qartë se pas 28 qershorit do të bëjmë koalicion me PS-në dhe na vjen shumë keq për ata të cilët ende nuk prononcohen se me kë do të bëjnë koalicion mbas 28 qershorit. "Megjithatë të jeni të sigurt se e majta dhe progresistët do të bashkohen më 29 qershor, dhe unë do t‘i ftoj të gjithë, Ramën, Nanon, Gjinushin, Milon dhe të gjithë për t‘u bashkuar në një qeveri për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike dhe për të çuar në pension njëherë e përgjithmonë Sali Berishën, për të larguar varfërinë dhe papunësinë nga Gramshi", nënvizoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›