Mediu: Më datën 28 qershor do të fitojë e djathta
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ishte në një tubim elektoral në qytetin e Beratit. Në fjalën e tij, Mediu theksoi edhe një herë se vota për një të ardhme të sigurt europiane është vota për numrin 16, PR-në. "Duke votuar nr.16, PR-ja, kemi votuar për fëmijët tanë, për çdo burrë dhe grua që do të vazhdojë rrugën nëpërmjet punës. Kemi votuar për prindërit tanë, kemi votuar për vlerat më të mira europiane, kemi votuar për pronarët", tha Mediu. Kreu i PR-së theksoi se shqiptarët do të shkojnë të gjithë të votojnë më 28 qershor, do të shkojmë të votojmë për projektet tona, për vijimin e tyre, për ëndrrat tona, për fëmijët dhe familjen tonë të madhe shqiptare. Gjatë mandatit tonë të parë ne investuam në infrastrukturë për ta bërë Shqipërinë më afër shqiptarëve, ashtu si realizuam projekte të mëdha si rruga Durrës-Kukës, e cila mbart vlera të mëdha shpirtërore dhe do të jetë arterie e rëndësishme e ekonomisë së shqiptarëve.