Letërnjoftimet, incident në zyrën e aplikimit në Voskopojë
Një incident i rëndë ka ndodhur në qendrën e aplikimeve në Komunën e Voskopojës, ku një person është rrahur nga ana e policit të komunës. Ngjarja ndodhi në momentin kur në radhë për aplikim ka qenë një numër i madh personash për shkak të njoftimit për pranimin e aplikimeve nga disa fshatra të komunës. Ramadan Bartollari, nga fshati Gjonomadh, është rrahur nga polici, duke u nxjerrë jashtë me dhunë gjatë momentit të aplikimit. Por sipas burimeve nga policia dhe nga komuna, ai ka hyrë me forcë në ambientet e brendshme, duke shtyrë derën dhe policin e komunës. Revolta e banorit nga Gjonomadhi ka ardhur për shkak të radhëve. Ai ka ngritur pretendimin se duhet të aplikojnë më parë banorët e fshatrave të tjerë dhe të lihen në fund banorët e Voskopojës. Më pas, ai ka hyrë forcërisht në ambientet e brendshme të zyrës së aplikimeve, duke thyer edhe një nga pajisjet. Burimet e policisë dhe kryetari i Komunës Voskopojë, Nexhip Bacelli, deklaruan se në këtë moment ka ndërhyrë polici Arben Azallari. Mes dy personave ka pasur një konfrontim fizik, ndërsa Ramadan Bartollari është qëlluar me grushte dhe është nxjerrë jashtë zyrës së aplikimeve për kartat e identitetit. Kryetari i Komunës së Voskopojës deklaroi se incidenti është stisur për motive politike. Nexhip Bacelli thotë se gjatë ditës duhet të pranoheshin aplikimet nga banorët që vinin nga fshatrat Gjonomadh dhe Lavdar, ndërkohë që banorët e Moglicës ishin caktuar për një tjetër ditë për shkak të fluksit. Sherri, sipas tij ka ndodhur pasi në zyrën e aplikimeve kanë ardhur edhe banorët e Moglicës, të cilëve u është refuzuar shërbimi, ndërkohë që kjo është komentuar nga ana e Partisë Socialiste si një tentativë për të larguar votuesit e majtë nga procesi i aplikimit. Siç sqaron kryetari i komunës, sherret kanë ndodhur për shkak se ka pasur shumë fluks dhe radhë dhe personi i dëmtuar nga Gjonomadhi ka insistuar që të aplikojnë banorët e këtij fshati dhe jo të zonave të tjera. Mësohet se strukturat e Partisë Socialiste në Voskopojë kanë dalë dje me një deklaratë publike, me anë të së cilës akuzojnë zyrtarët e komunës se kanë penguar pajisjen me karta identiteti të personave që njihen si mbështetës të së majtës. Nga ana tjetër, PS-ja lokale deklaron se këtyre personave po u kërkohen ende 1200 lekë për kuponët e aplikimit. Sipas Policisë së Korçës, dy personat e përfshirë në sherr janë shoqëruar në komisariat dhe çështja është sqaruar pas një ballafaqimi. Drejtori i policisë së Korçës, Emri Vata, tha se shtetasit Arben Azallari, me detyrën polic i komunës, dhe shtetasi Ramadan Bartollari, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje.