E Hënë, 2 Nëntor 2026

Letërporosi në Mal të Zi për provat që vërtetojnë blerjen e raketave

11/05/2005  Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar një tjetër letërporosi në Mal të Zi, lidhur me hetimin e trafikut të raketave “STRELA 2-M”, të kapura në dhjetor të vitit të kaluar. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se letërporosia ka për qëllim marrjen e të gjitha provave që disponon drejtësia e Malit të Zi, për këtë trafik. Sipas burimeve të akuzës është kërkuar që të vihet në dispozicion hetimi i kryer nga homologët malazezë, pasi hetimet janë drejt përfundimit. Kjo, me qëllim bashkangjitjen e provave të siguruara nga drejtësia e Malit të Zi me ato të dosjes që po hetohet nga Krimet e Rënda. Burimet e organit qendror të akuzës, pohojnë se bëhet fjalë për prova materiale të sigurimit dhe blerjes së tri raketave tokë-ajër tip “STRELA 2-M” nga katër shkodranët e arrestuar. Sipas Prokurorisë, këto prova janë të nevojshme për vërtetimin e akuzave ndaj të pandehurve para trupit gjykues. Katër trafikantët e armëve u arrestuan në fund të dhjetorit 2004, në sajë të bashkëpunimit të drejtësisë shqiptare me homologen e saj malazeze.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›