Pranga, premtoi lirimin e vajzës nga burgu
11/05/2005 TIRANË- Arrestohet nga Antikrimi Ekonomik një 33-vjeçar që i kishte premtuar një familjeje për lirimin e vajzës nga burgu. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilat thanë se dy ditë më parë është vënë nën pranga Kujtim Kola, 33 vjeç, lindur në Pukë e banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të "rrahjes". Në komunikatën për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, thuhet se ky shtetas dyshohet të ketë kryer veprën penale të "mashtrimit në bashkëpunim". Ndërkaq, burime të Antikrimit Ekonomiko-Financiar thanë se, Kola mendohet të ketë mashtruar një të moshuar, duke i premtuar atij lirinë e vajzës së tij. Kjo e fundit, aktualisht, vuan dënimin në Burgun 325 për një vepër penale. Gjithsesi, Prokuroria po vërteton faktet, ndërsa Kola ndodhet i shoqëruar në ambientet e brendshme të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.